Pagat në shtet, votimi të enjten/ Miratohen dy ligjet, deputetët rritën edhe pagat e tyre

23/05/2023 19:33

Kuvendi kaloi dy projektligje të reja që i hapin rrugën rishikimit të pagave për herë të parë në administratën publike që nga vitit 2006.

Përveç administratës janë rishikuar edhe pagat e funksionarëve të lartë dhe titullarëve të institucioneve të pavarura, koeficentët e pagave të të cilëve do të shumëzohen më pagën e re të presidentit prej 425 000 lekësh.

Deputetët zvarritën miratimin e ligjit, që nuk parashikonte rritjen e rrogës për ta dhe minsitrat, por qeveria u dorëzua duke rënë dakord për ndryshimet.

 “Sa i takon rrogës unë pranoj me vullnet të plotë të jem i fundit por jo i përçmuar dhe as i etiketuar dhe për më tepër për arsye të funksionit” – u shpreh Braçe.

Doja të pyesja ministren e financave. Rrogat e ministrave dhe deputetëve janë më pak të rëndësishme për ju? Ju duket normale që një drejtoreshë, një këshilltare, një ministre të kenë një rrogë më të lartë se e juaja ju duket normale”- u shpreh Agron Shehaj.

“Nuk mundet që një vartës të ketë rrogën më të lartë se eprori, pasi ky i fundit mban përgjegjësi. Kështu shkatërroni hierarkinë e pagave dhe kuptimin e një shteti serioz. Propozoj rritjen e koeficienteve për të gjithë duke përfshirë kryetarin e kuvendit edhe me radhë.”- u shpreh Arbër Agalliu.

Për deputetin socialist Erjon Braçe, reforma e pagave duhet të shoqërohet edhe me eficencën e administratës publike.

Më të paguarit në administratë pas presidentit do të jenë kryeministri dhe kryetari i kuvendit me pagën 393 mijë e 125 lekë, më pas zv.kryeministri me 330 mijë lekë, ministrat me nga 318 750 lekë dhe deputetët me 310 250 lekë.

Efektet e ligjit do të reflektohen në pagën e qershorit dhe do të përfshijë rritjen duke filluar nga muaji prill. Ndërkohë me ligjet e reja administratës publike do t’i indeksohet paga çdo dy vjet, ndërsa ndryshime ka edhe për caktimin e shpërblimeve për pozicione që konsiderohen me prioritet kombëtar.

Top Channel