Qyteza dhe rrethinat e Memaliajt për dekada kanë jetuar kryesisht prej minierës së qymyrgurit dhe me mbylljen e saj pas degradimit banorët u fokusuan tek bujqësia e blegtoria sektorë edhe këta të vështirë për zonën për shkak të  infrastrukturës problematike dhe distancës që shumica e fshatrave kanë me rrugën nacionale.

Por gjatë 5 vjeçarit të fundit banorët po zbulojnë se turizmi mund të sigurojë një pjesë të ardhurave. Zona malore e Buzit përbën një prej atraksioneve kryesore për vizitorët e natyrës dhe aventurës dhe amvisat e zonës ofrojnë për ta ushqim dhe mikpritje.

“Turistët pëlqejnë tavë me biftek viçi, tradicionalen e fshatit, mishin e pjekur në hell, mish në tavë, mish saçi, byrek fshati me lakra të egra”, tha Lavdie Mahmutaj.

Hetem Bajrami që drejton një bujtinë në fshatin Gllavë ndër më të largëtat e zonës tregon se niveli i rezervimeve është mjaft i mirë por infrastruktura rrugore pengon një pjesë të vizitorëve ta arrijnë zonën.

“Ka më tepër rezervimeve fundjava por edhe gjatë gjithë kohës, por rruga është problemi se shumica e njerëzve kanë makinë të vogël dhe kjo rruga është pak problem sepse është zonë malore”, tha Hetemi.

Rrethinat rurale të Memaliajt u vizituan vitin e kaluar nga rreth  6000 vizitorë. Megjithatë mungesën ende në shërbime turistike si akomodim apo stacione kampingësh shumë udhëtarë të aventurës po orientojnë kërkesën për të shpenzuar më shumë kohë në këtë krahinë.

Vetëm përgjatë dekadës së fundit gati 70% e popullsisë aktive të zonës ka emigruar. Nëse do të bëhej funksional aksi që lidh Memaliajn me Beratin përmes malësisë së Buzit besohet se do ti jepte një tjetër ritëm investimeve turistike në këtë zone të pasur në burime natyrore, liqene, pyje dhe monumente kulture.

Top Channel