I dërguari i SHBA-së në Afrikën e Jugut ka akuzuar vendin se ka furnizuar me armë Rusinë, pavarësisht neutralitetit të deklaruar të saj për luftën në Ukrainë.

Ambasadori Reuben Brigety tha se Uashingtoni kishte shqetësime në lidhje me qëndrimin e deklaruar jo-angazhues të vendit ndaj konfliktit. Ai iu referua ankorimit të një anijeje mallrash në bazën detare të Simon’s Town në Cape Town midis 6 dhe 8 dhjetorit të vitit të kaluar, për të cilën tha se ishte “i sigurt” se ishte e ngarkuar me armë dhe municione ndërsa kthehej në Rusi.

“Armatosja e rusëve është jashtëzakonisht serioze dhe ne nuk e konsiderojmë këtë çështje të zgjidhur”, tha ai.

Ai shtoi se SHBA kishte gjithashtu shqetësime për pjesëmarrjen e Afrikës së Jugut në stërvitjet ushtarake me Rusinë dhe Kinën gjatë përvjetorit të pushtimit të Ukrainës.

Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa tha se qeveria e tij po shqyrtonte pretendimet.

Vendi ka mbajtur pretendime për neutralitet në pushtimin e Ukrainës.

Stërvitjet detare u zhvilluan mbi 10 ditë në shkurt dhe u kritikuan nga figurat e opozitës si një miratim i pushtimit rus.

Autoritetet e Afrikës së Jugut mohuan se lojërat e luftës ishin të planifikuara në mënyrë provokative për të përkuar me përvjetorin e një viti dhe thanë se vendi organizon në mënyrë rutinore stërvitje të ngjashme me kombe të tjera, duke përfshirë Francën dhe SHBA-në.

Afrika e Jugut më parë abstenoi nga një votim i OKB-së që dënonte pushtimin. Ajo gjithashtu refuzoi t’i bashkohej SHBA-së dhe Evropës në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Në përgjigje të një pyetjeje të ngritur nga kreu i opozitës John Steenhuisen, zoti Ramaphosa i tha parlamentit të enjten se komentet e bëra nga ambasadori amerikan do të shqyrtohen.

Presidenti u kërkoi partive opozitare që të lejojnë përfundimin e procesit.

Departamenti Amerikan i Shtetit ende nuk ka komentuar mbi pretendimet.

Top Channel