Pasuria e sekuestruar e cila po mbetet për vite të tëra si e tillë po i humb vlera dhe kjo paraqet brengë të madhe për Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, e cila më pastaj mund të përballet edhe me padi.

Kështu ka deklaruar mëngjesin e sotëm ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë një tryeze ku temë diskutimi ishte rëndësia bashkërendimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve në menaxhimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.

Haxhiu theksoi optimizmin që Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikuar sa më shpejtë të jetësohet, ndonëse ai ndodhet për vlerësim në Kushtetuese. Teksa ka kërkuar bashkëpunim ndërinstitucional për fuqizimin e Agjencisë, Haxhiu theksoi se i njëjti është esencial në luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit.

Haxhiu u shpreh se kanë punuar në ndryshimin e ligjit për APPSK-në që rrit mundësinë që mjetet e konfiskuara të shfrytëzohen për më shumë kategori.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, u shpreh se marrja e aseteve ilegale të kriminelëve lufton krimin dhe i godet rëndë ata. Sipas tij, ripërdorimi social i këtyre pasurive që vijnë nga aktiviteti kriminal për të mirën kolektive ndihmon në promovimin e transparencës dhe sundimit të ligjit.

Edhe Davenport shpreson që përmes Byrosë kjo pasuri e konfiskuar dhe sekuestruar mund të menaxhohet më suksesshëm.

Zëvendësi i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, Enver Krasniqi shprehu në vitin 2022 për 30% është rritur vlera monetare e konfiskimit krahasuar me sekuestrimin. Ai thotë se kjo është bërë fal bashkëpunimit me të gjitha institucionet ligjzbatuese, raporton KosovaPress.

Në këtë tryezë diskutimi për mbi rëndësinë e bashkërendimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve në menaxhimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara ishin prezent prokurorë e përfaqësues të gjykatave të Kosovës.

Top Channel