Në redaksinë e “Fiks Fare” mbërritën disa video, ku dukeshin disa materiale ndërtimi eternite me përmbajtje kancerogjene, të hedhura buzë rrugës dhe në afërsi të lumit Osum.

Këto materiale janë hedhur në një vend që po mbushet në Berat, në afërsi të lagjes Çlirimi dhe afër urës së Velabishtit. Grupi i Fiksit udhëtoi në Berat, ku konstatoi pikërisht këto mbetje eternitesh. Agjencia e Mjedisit filloi menjëherë verifikimet se kush i kishte hedhur, pasi sheshi ishte në përdorim të bashkisë. Nga ana tjetër, Bashkia e Beratit, pas interesimit të Fiks Fare tha se do të heqë ato materiale nga rruga, ndërsa do të vendoste edhe gurë të mëdhenj për të parandaluar hyrjen e kamionëve për të hedhur inerte.

Në vitin 2003, u miratua ligji 9010, “për administrimin mjedisor të mbetjeve të ngurta”. Material i rrezikshëm u konsiderua eterniti, material ndërtimi që përdorej për mbulimin e godinave. Eternitet nuk lejohen aktualisht në ndërtim, pasi përmbajnë amiant, i cili është i rrezikshëm për shëndetin. Ekspertët mjedisorë këshillojnë që nëse shihni eternite të hedhura në vende të hapura të lajmërojnë institucionet. Mësohet se amianti ose azbesti ka formën e një fibre të hollë kristali dhe depërton lehtë në mushkri, ku prania për një kohë të gjatë bëhet shkaktarë të disa sëmundjeve kancerogjene.

Pikërisht materiale eterniti ishin hedhur në Berat. “Një ditë më parë unë po lëvizja në këtë rrugë, kur kam parë këto materiale të hedhura buzë rrugës. Isha me një turiste gjermane, u llahtarisëm. Unë kam qenë në Itali dhe kam punuar në një firmë pastrimi. Këto materiale janë kancerogjene dhe ne i merrnim, i paketonim dhe i dërgonim në një firmë që merrej me asgjësimin e këtyre materiale. Këtu janë hedhur buzë rrugës, askush s’merr mundimin ti konstatojë dhe jo më t’i heqë. Janë dhe afër lumit, shkojnë në lumë. Lumi në det, më pas ushqehen peshqit dhe ne hamë peshqit”, thotë Andon Qako për gazetarët e Fiksit.

Pas denoncimit dhe konstatimit, gazetarët e emisionit investigativ kontaktojnë me Agjencinë Rajonale të Mjedisit Berat, Elbasan dhe Korçë. Pas telefonatës, inspektorët vijnë në vendin që gazetarët I treguan. Punonjësit thanë se janë materiale që nuk lejohet të hidhen buzë rrugës. “Kemi ngritur njësi Task – Force për plehra gjatë sezonit veror. Ne kemi bërë konstatimin e këtyre materiale dhe lajmëruan Bashkinë e Beratit se kush i ka hedhur. Nuk lejohet të hidhen dhe do kërkojmë të hiqen. Nuk e dimë kush i ka hedhur dhe ato janë buzë rrugës”, pohon një nga përgjegjësit e ARM-së. Por, në atë shesh ishte edhe një mjet ekskavator i Bashkisë së Beratit, që sheshonte inertet e hedhura në atë vend.

Fiksi interesohet edhe në Bashkinë e Beratit, teksa bisedon me nënkryetarin Luçiano Bojaxhiu. Ai thotë se ai vend po mbushet me disa inerte, pasi ka qenë një gropë. Gazetarët i tregojnë se janë hedhur eternite të rrezikshme, ndërsa nënkryetari thotë se “nuk e dimë se kush i ka hedhur, ndonjë banor apo ndonjë firmë”. Më tej pohon se s’janë me leje të bashkisë dhe se do marrin masa. “Ai është një vend që ka qenë si gropë buzë lumit. Do e mbushim dhe do e rikualifikojmë. Nuk kemi informacione se kush i ka hedhur. Do marrim masa, do i heqim. Do vendosim disa gurë të mëdhenj që mos të hyjnë automjete” përfundon Bojaxhiu. Ndërkohë, pas disa orësh, mjetet dhe punonjësit e bashkisë shkuan në atë vend dhe hoqën mbetjet e rrezikshme buzë rrugës.

FOTO GALERI
6/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA