Përplasja për pagat në drejtësi/ Gjykata e Lartë, Unioni dhe Shoqata e Gjyqtarëve: Nuk do të marrim pjesë në takimin me Ramën, presim ‘Kushtetuesen’

28/09/2026 09:36

Përplasja për pagat në sistemin e drejtësisë vijon të mbajë në tension raportet mes përfaqësuesve të gjyqësorit dhe qeverisë.

Kryeministri Edi Rama ka thirrur këtë të hënë, në orën 12:30, një tryezë diskutimi për piramidën e pagave në drejtësi, por dy organizatat përfaqësuese të gjyqtarëve dhe Gjykata e Lartë kanë vendosur të mos marrin pjesë, raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kanë refuzuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga kryeministri Rama.

Shoqata e Gjyqtarëve ka bërë me dije se çështja e pagave tashmë është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Ata deklarojnë se nuk janë kundër dialogut, por se këtë do ta bëjnë vetëm pasi të flasë ‘Kushtetuesja’.

 

Top Channel