Kosova zhvilloi këtë të diel zgjedhjet lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç.
Pas numërimit të votave, Lëvizja Vetëvendosje mori Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviçin, ndërsa PDK merr Zveçanin dhe Zubin Potokun bazuar në rezultatet paraprake të zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Mitrovicën e Veriut do ta udhëheqë Erden Atiç i Lëvizjes Vetëvendosje i cili ka fituar 519 vota apo 66.5%. Ai është pasuar nga kandidati i PDK-së, Taulant Kelmendi, që mori 186 vota apo 23.8% dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica mori 75 vota apo 9.6%.
Edhe Leposaviqi u mor nga Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin Lulzim Hetemi që mori 100 vota apo 73.5%, pas tij vjen Albulena Behluli Hetemi me 34 vota apo 25% dhe Aleksandar Jabllanoviç edhe pse u tërhoq nga gara mori dy vota.
Partia Demokratike e Kosovës sipas rezultateve preliminare prin në Zubin Potok me Izmir Zeqirin që mori 196 vota apo 52.1%, kurse Flatron Hasani i LVV-së mori 180 vota ose 47.9%.
PDK merr edhe Zveçanin me kandidatin Ilir Peci që mori 114 vota ose 60%, Fetah Peci i LVV-se mori 71 vota apo 37.4% dhe kandidatja e vetme serbe Sllagjana Pantoviç mori pesë vota ose 2.6%.
Që në orën 7 të mëngjesit të së dielës qendrat u hapën për votuesit. Megjithatë, disa prej tyre nuk pritën asnjë votues, dy prej të cilave ishin në komunën e Zubin Potokut. Në qendrën e votimit në Velje Breg në rrugën Mitrovicë-Bërnjak kanë të drejtë vote 4111 qytetarë, të gjithë të nacionalitetit serb, megjithatë, asnjë prej tyre nuk e ka ushtruar të drejtën e votës.
Situatë pak më pozitive ishte në Leposaviç e në Zveçan që kishin numër simbolik të votuesve serbë. Edhe në qendrën e votimit në rrugën Mitrovicë- Jarinjë në dalje të fshatit Soqanicë ka pak votues. Mbi tre mijë janë të regjistruar për të votuar, por vetëm dy e kanë bërë këtë gjatë ditës së diel.
Një prej votuesve në Zveçan ishte vetë kandidatja për kryetare të komunës, Sllagjana PantovIç e cila erdhi e u përcoll për në shtëpinë e saj me një eskortë të policisë së Kosovës, të cilët gjatë ditës monitoruan situatën pranë vendbanimit të saj.
Pantoviç kërkoi paqe me shpresën që këto zgjedhje do sjellin ndryshimin.
“Mendoj se zgjedhjet po mbahen dhe duhet të mbahen në paqe, në dashuri dhe respekt për popullin dhe jo me urrejtje, kërcënime dhe shantazhe”, tha Sllagjana Pantoviç, kandidate për kryetare të Komunës së Zveçanit.
Orët e para të mëngjesit nuk ishin aspak të frytshme as në qendrat e votimit të rregullta, në zonat ku shumicë ishin shqiptarët.
Pjesëmarrja më e madhe në votime ishte në radhët e komunitetit shqiptar në komunat veriore të Kosovës. Megjithatë, krahasuar me herët e kaluara, as komuniteti shqiptar që është shumicë në disa qendra të votimit nuk e shfrytëzoi sa duhet të drejtën e votës. Në qendrën e votimit në fshatin Lipë, nga 205 qytetarë me të drejtë vote, votuan vetëm 31% e tyre.
Por, në qendrat e votimit me shqiptarë në Çabër në Zubin Potok dhe Lipë të Zveçanit ishin që pasditja të sillte më shumë votues.
Këtë mëngjes pak ka, por shpresojmë që pas 11 e tutje do të ketë më shumë.
“Nuk ka pas asnjë provokim, siguria ishte në nivel”, tha Kujtim Peci, menaxher i qendrës në Lipë.
Krerët e institucioneve në Prishtinë u bënë thirrje qytetarëve të katër komunave veriore e sidomos serbëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, derisa kandidatët shqiptarë me të njëjtën kërkesë premtuan një të ardhme të mirë për qytetarët e veriut të Kosovës.
“Unë jam më se i bindur se për Mitrovicën po vijnë ditë më të mira”, tha DEK Erden Atiç, kandidat për Mitrovicën e Veriut, LVV.
“Votuam në këto zgjedhje e uroj që të dalin të suksesshme”, tha Izmir Zeqiri, kandidat për Zubin Potokun, PDK.
“Bëj thirrje te të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë atë e të votojnë kandidatin që për të është më mirë”, tha Taulant Kelmendi, kandidat për Mitrovicën e Veriut, PDK.
Qytetarët shqiptarë të veriut presin ndryshim të madh nga këto zgjedhje.
“Senet me lëvizë përpara, se serbët në atë anë janë të shantazhuar”, tha qytetari Naser Selimi.
“Për zhvillimin e vendit, të gjitha strukturat duhet të angazhohen edhe pas zgjedhjeve”, tha Azem Rama.
Këtë të diel nën rrezikun e tensioneve dhe incidenteve edhe Policia e Kosovës kishte shtuar prezencën në veri. Në 19 qendrat e votimit, ato alternative dhe të rregullta mbikëqyrej nga pjesëtarë të policisë. Gjatë gjithë procesit nuk u raportua për asnjë incident.
23:02 Atiq shpall fitoren në Mitrovicën e Veriut: Do të jem kryetar i të gjithëve
Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur fitoren në Mitrovicë të Veriut, në zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën në veri të Kosovës. Ishte kandidati i Vetëvendosjes, Erden Atiq, i cili ka shpallur fitoren me mbi 65% të votave në këtë komunë. Ai në një dalje publike ka thënë se do të jetë kryetar i të gjithë banoreve edhe të atyre që e votuan e edhe i atyre që nuk e votuan.
22:56 Zgjedhjet në veri të Kosovës, Franca: Dalja e ulët nuk i kontribuon zgjidhjes politike
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot tha se i vjen keq që jo të gjitha partitë morën pjesë në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri të Kosovës. “Zgjedhjet me kaq pak votues nuk i kontribuojnë zgjidhjes politike”, shkroi ai në Twitter. Por, ai theksoi se gjë pozitive ishte profesionalizmi i treguar nga autoritetet e rendit në Kosovë dhe ato ndërkombëtare.
22:38 Zgjedhjet në veri të Kosovës, SHBA: Keqardhje për mospjesëmarrjen e partive serbe në zgjedhje
Shtetet e Bashkuara shprehën keqardhje që partitë serbe nuk morën pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, që u mbajtën sot. Sipas rezultateve paraprake, Lëvizja Vetëvendosje fitoi garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviç, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës fitoi në Zveçan dhe Zubin Potok.
20:27 Lëvizja Vetëvendosje shpall fitoren në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviç
Kandidati Erden Atiq ka marrë shumicën e votave në dy komunat. Kurse në Zveçan dhe Zubin Potok, sipas informacioneve është garë e ngushtë. Në këto dy komuna thonë që morën mbi 60% të votave.
20:20 Zgjedhjet në veri të Kosovës, nuk është regjistruar asnjë incident
Prokurori i Shtetit në Kosovë njoftoi se gjatë gjithë ditës ka mbikëqyrur procesin e jashtëzakonshëm zgjedhor në katër komunat e Republikës së Kosovës, për kryetar të Komunës në Mitrovicën Veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Pas përfundimit të procesit të votimit dhe mbylljes së vendvotimeve njoftohet se nuk është evidentuar asnjë rast incidenti.
19:44 Mbyllen qendrat e votimit në veri të Kosovës, votuan 1567 qytetarë
Në katër komunat në veri të Kosovës janë mbyllur qendrat e votimit për zgjedhjet e parakohshme lokale. Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut zgjodhën sot kryetarët e rinj. Në Zveçan dhe Leposaviç qytetarët u votua po ashtu për të zgjedhur anëtarët e asambleve komunale.
19:08 Mbyllet qendra e votimit tek Tre Rokaqiejt në Mitrovicë të Veriut
Qendra e votimit tek Tre Rokaqiejt në Mitrovicë të Veriut është mbyllur. 22 vota janë në qendrën tek Tre Rrokaqiejt.
18:32 Zgjedhjet në veri të Kosovës, në Zubin Potok nuk ka votuar asnjë qytetar
Në katër qendra votimi në Zubin Potok, nuk ka votuar asnjë qytetar për zgjedhjet e parakohshme lokale në Kosovë. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në qendrën e votimit në Veli Breg të Zubin Potokut janë të regjistruar 4.111 qytetarë me të drejtë vote. Që nga hapja e kësaj qendre të improvizuar të votimit të vendosur në kontejner, asnjë qytetar nuk ka shkuar.
17:11 VOA: Zgjedhjet në veriun e Kosovës, mes bojkotimit të partive serbe
Në 13 qendra votimesh të improvizuara në kontejnerë dhe gjashtë syresh në qendrat e rregullta, sot po mbahen zgjedhjet për kryetarët e katër komunave veriore të banuara me shumicë serbe. Nga dhjetë kandidatë për këto poste në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç, vetëm një është nga radhët e komunitetit serb, pasi Lista Serbe dhe partitë tjera më të vogla nga radhët e këtij komuniteti po i bojkotojnë zgjedhjet me kërkesën e Beogradit zyrtar.
16:12 Zgjedhjet në veri të Kosovës, KQZ: Pjesëmarrja e qytetarëve 2.4 për qind
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 1.000 qytetarë në katër komunat në veri të Kosovës. Sipas të dhënave, dalja e përgjithshme në zgjedhje është 2.4 për qind apo 1.092 nga 45.095 qytetarë me të drejtë vote. KQZ-ja nuk raportoi për ndonjë pengesë në procesin zgjedhor.
Duke shpërndarë fotografi të disa vendvotimeve në veri të Kosovës, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha se ato përshkruajnë në të vërtetë “sundimin e ligjit” dhe kuptimin e vërtetë të “zgjedhjeve demokratike”, të mbështetura nga komuniteti ndërkombëtar.
11:53/ Serbët bojkotojnë zgjedhjet në Çabër, në fshat votojnë vetëm shqiptarët
Serbët duket se e kanë zbatuar me përpikmëri thirrjen për bojkotim të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, megjithatë edhe nga pala shqiptare nuk kemi parë ende një dyndje të votuesve në qendrat e votimit. Qendra e votimit në Çabër, fshat me shumicë shqiptare që ka mbi 1000 votues, deri më tani kanë votuar mbi 40 persona.
Veriu i Kosovës ka nisur zyrtarisht zgjedhjet e jashtëzakonshme vendore rreth orës 07:00 të mëngjesit, megjithatë në qendrën në Brelje Breg me 4111 votues, dhe në afërsi të kufirit në Bërnjak, zonë me 629 persona me të drejte vote, nuk ka votuar asnjë qytetar.
Në këto dy qendra, të gjithë qytetarët që kanë të drejtë vote janë serbë.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Kreshnik Radoniçi, i ftoi qytetarët në veri të Kosovës që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. “Në këtë mënyrë zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe ndërtojnë institucionet legale demokratike”, tha Radoniçi.
10:10/ Zgjedhjet në Veri të Kosovës, Osmani: Shpresoj që shumë shpejt do të formohen institucionet
Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Betim Osmani deklaroi sot se shpreson që shumë shpejt do të formohen institucionet. Pasi votoi në qendrën e votimit në Kodrën e Minatorëve, ai theksoi se qytetarët janë në gjendje jo të mirë dhe që kanë nevojë sa më shpejt të kanë udhëheqje në vendin ku jetojnë.
Edhe në komunën e Zveçanit qendrat e votimit janë hapur në kohë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar dhe këshilltarë komunalë. Kandidatja e pavarur dhe e vetme serbe, Sllgjana Pantoviç ka votuar para pak çastesh në qendrën e votimit pranë stacionit të policisë në Zveçan.
Policia e Kosovës deklaron se plani operativ është duke u zbatuar konform fazave të parashikuara me qëllim të krijimit të një ambienti të sigurt dhe të qetë për qytetarët gjatë votimit në katër komunat veriore.
Top Channel