Shpëtohen mrekullisht qindra emigrantë në brigjet e Italisë, u bllokuan në det të hapur

11/04/2023 17:29

1200 emigrantë janë shpëtuar mrekullisht nga rojet bregdetare të Italisë, pasi mbetën të bllokuar në anijet që lëviznin në Detin Mesdhe, pranë Siçilisë dhe Kalabrisë.

Fillimisht rojet bregdetare konstatuan anijen e parë të mbingarkuar me rreth 800 emigrantë, ndërsa grupi i dytë mbante 400 persona në bord.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit ekipi i shpëtimit italian u nisën menjëherë për tu ardhur në ndihmë emigrantëve, e më pas i morën në bord duke i dërguar në një vend të sigurt.

Sipas mediave lokale rreth 1700 emigrantë u shpëtuan jashtë ishullit Lampedusa në 48 orët e fundit.

Mijëra emigrantë kanë zbritur në Itali ditët e fundit, ndërsa qeveria e kryeministres Giorgia Meloni është mbledhur për të shqyrtuar masa më të ashpra në operacionet e kërkim-shpëtimit në det.

Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë së Melonit për të frenuar migrimin e parregullt, avionët dhe helikopterët e rojes bregdetare italiane, kanë marrë pjesë në operacionet e shpëtimit në det.

Komiteti i çështjeve kushtetuese të dhomës së ulët të Italisë rifilloi shqyrtimin e një projekt-ligji për migracionin e paligjshëm, i cili nëse miratohet do të rrisë dënimet me burg për personat që mundësojnë lëvizjet me kontrabandë.

Moti i mirë ka shtyrë më shumë njerëz, kryesisht nga Tunizia, të marrin rrugën që lidh Afrikën e Veriut me brigjet e Lampedusa-s dhe Siçilisë në Mesdheun qendror.

Rreth 28,000 migrantë kanë mbërritur në Itali gjatë tre muajve të parë të vitit 2023, shifër relativisht e lartë krahasuar me 6,800 gjatë 2022.

Top Channel