Pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, Rama tha se është dakordësuar projektligji për rritjen e pagave, ku brenda një viti paga mesatare do të shkojë nga 563 euro në 900 euro.
Rama tha se me reformën e pagave do të rriten edhe pagat e pedagogëve me 20%, mësuesve të arsimit të mesëm, infermierëve dhe zjarrfikësve. Infermierët do marrin pagë bazë 87 mijë lekë, zjarrfikësit 80 mijë lekë, dhe mësuesit e arsimit të mesëm do të marrin një pagë prej 100 mijë lekësh.
“Dola sot këtu sepse është një nga ditët më të shënuara të qeverisjes sime. Sapo kemi dakordësuar projektligjin për reformën e re të pagave dhe kemi sanksionuar e zeza mbi të bardhë, se në harkun e një viti paga mesatare e Republikës së Shqipërisë do të shkojë nga 563 euro që është sot në 900 euro.
Ky është rezultat i të gjitha përpjekjeve, reformave, punëve të bëra për të ardhur në ditën që ta krijojmë këtë mundësi për shtëpinë tonë të përbashkët dhe të mund të rishpërndajmë të ardhurat aty ky edhe me shumë të drejtë familjet e zakonshme shqiptare presin më shumë sesa në çdo gjë tjetër, në arkën e buxheteve të tyre. Është shumë e rëndësishme për ne që të konstatojmë sot se sa e qëndrueshme është ekonomia jonë dhe se realisht kemi hyrë në një fazë të re të zhvillimit të saj, pavarësisht të gjitha peripecive, pengesave dhe goditjeve të jashtëzakonshme që Shqipëria ka marrë dhe shqiptarët kanë marrë në vazhdën e disa krizave rresht.
Ia kemi dalë, jo vetëm të rezistojmë, jo vetëm të adresojmë plagë dhe probleme të rënda, vazhdojmë sot që flasim të mbështesim të gjitha familjet dhe të gjitha bizneset e voglat në mënyrë që të mos shohin asnjë qindarkë rritje të çmimit të energjisë në faturën e tyre dhe sot mund t’iu themi të gjithëve se është dita për të marrë ata vetë direkt, jo thjeshtë komuniteti, bashkia, vendi, jo thjeshtë infrastruktura, shkollat, kopshtet, çerdhet, spitalet, qendrat shëndetësore e me radhë, por ata vet drejtpërdrejtë në arkën e tyre familjare frytet nga kjo përpjekje dhe nga reformat që na kanë sjellë deri këtu
Nuk dua të humbas vëmendjen në shumë shifra. Jam këtu së bashku me ministren e Financave. Dua ta falënderoj ekipin e sa për punën e palodhur që ka bërë. Kemi pasur diskutime të pafundme, kemi pasur debate të pafundme, kemi konfrontuar volume të pafundme shifrash, opsionesh, skemash dhe në fund kemi rënë të gjithë dakord që detyra jonë është tu japim shqiptarëve maksimumin e produktit të reformave dhe nuk ka kënaqësi më të madhe për mua sesa t’ju them specialistëve më të ulët që punojnë në administratën qendrore se paga e tyre do të shkojë nga 49 mijë lekë në 81 mijë lek apo tu themi mësuesve në arsimin e mesëm që paga e tyre do shkojë mbi 1 milionë lek, pra mbi 100 mijë lek. Apo në arsimin bazë do të shkojë nga 74 mijë deri në 95 mijë. Të gjitha këto janë shifra bazë pastaj vjetërsia e punës, kohëzgjatja në detyrë domethënë dhe nivelet e kualifikimeve bëjnë që gjërat të jenë edhe më mirë sesa ç’duken nga niveli bazë.
Po kështu, është koha t’iu bëjmë një rritje të konsiderueshme pedagogëve të universiteteve të gjithë sistemit arsimor universitar, me 20% duke iu dhënë diskrecion që ata të mund të shkojnë deri në 30 % sepse ata janë autonom në administrimin e buxheteve të tyre dhe siç bëmë në fund të vitit të shkuar, do të bëjmë përsëri.
Po kështu është kënaqësi e posaçme që t’ju them sot infermiereve që do të kapin një bazë prej 87 mijë lekësh dhe ndërkohë kjo bazë shkon dhe përtej 90 mijë lekësh sipas pozicioneve në punë.
Kemi rritur ndjeshëm pagat për Forcat e Armatosura. Do të vazhdojmë t’i rrisim po në mënyrë të ndjeshme, kemi rritur pagat për gjithë sistemin e sigurisë. Do të vazhdojmë t’i rrisim. Kemi rritur pagat për zjarrfikësve dhe siç e pata premtuar duke qenë se zjarrfikësit janë gjithmonë e më të rëndësishëm për shoqërinë në kushtet kur zjarret janë gjithmonë e më të pranishëm, për shkak të ndryshimeve klimatike dhe jo vetëm, pagën e zjarrfikësve do ta çojmë deri në 80 mijë lek.
E gjitha kjo do të bëhet me dy hapa. Një hap i parë i menjëhershëm do të jetë tani me mësuesit, me sigurinë dhe me mjekët dhe infermieret menjëherë dhe ky hap i parë për të gjithë të tjerët do të jetë pasi parlamenti të kalojë projektligjin që ne sot miratuam dhe pastaj hapi i dytë do të jetë prillin e ardhshëm ku do të bëjmë gjithë plotësimin e kuadrit të kësaj reforme pagash dhe do të mbërrijmë kryelartë 900 euro pagë mesatare”- tha Rama.
Top Channel