Shqipëria 14 vite në NATO, Begaj mesazh urimi: Krenarë që jemi kontribuues për paqen dhe sigurinë

01/04/2023 09:18

Shqipëria shënon 14 vjetorin e anëtarësimit zyrtar të saj në NATO. Anëtarësimi më 1 prill 2009 është një ndër ngjarjet më të rëndësishme jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë kombin shqiptar.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, presidenti Bajram Begaj ka kujtuar këtë ditë, duke theksuar se Shqipëria është krenare që kontribuon për paqen dhe sigurinë.

“14 vjet Shqipëria në #NATO! Krenarë që jemi pjesë e aleancës më të fuqishme dhe më të suksesshme në botë! Krenarë që jemi kontribues për paqen dhe sigurinë! #neqëndrojmëbashkë #mëtëfortëbashkë”,  shkruan Begaj.

Por si rrodhën ngjarjet deri në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO?

Gjatë regjimit komunist Shqipëria ishte pjesë e Traktatit të Varshavës, blloku ushtarak i vendeve komuniste të Evropës, ku ishte anëtarësuar që në vitin 1955, ndërsa u largua nga ky bllok në vitin 1968. Pas përmbysjes së regjimit komunist në vitin 1991, në vend u përcaktua orientimi euro-atlantik, dukë nisur edhe procesi i anëtarësimit në organizatat dhe nismat ndërkombëtare.

Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka kaluar në disa faza dhe zhvillime, që fillojnë në vitin 1992, me pranimin e vendit zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC), që ishte organizmi i parë që krijoi Aleanca për të ndërtuar marrëdhëniet me shtetet që dolën nga regjimet komuniste në Evropën.

Deri në ftesën për anëtarësim në vitin 2008, autoritetet shqiptare vazhduan përpjekjet rreth procesit të anëtarësimit duke u përfshirë në iniciativa të ndryshme dhe nënshkrimin e disa dokumenteve që do t’i hapnin rrugën procesit të anëtarësimit të plotë 14 vite më parë.

Një nga momentet e rëndësishme para anëtarësimit është maji i vitit 2003, kur Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut së bashku me SHBA-në nënshkruan “Kartën Adriatik 3 – SHBA”, që sipas autoriteteve shqiptare u konsiderua si një nismë që do të përgatiste anëtarësimin e vendeve në NATO.

Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në samitin e Bukureshtit më 2 prill të vitit 2008. Më 25 prill të po të njëjtit vit Shqipëria filloi zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin në NATO, që përfshinin disa çështje politike, ushtarake, sigurie dhe ligjore, ndërsa më 9 korrik të këtij viti vendet anëtare të NATO-s nënshkruan në Bruksel protokollet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Kroacinë.

Pas përfundimit të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin Amerikan të Shtetit, Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill të vitit 2009.

Shqipëria mori pjesë për herë të parë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill të vitit 2009, ndërkohë që më 7 prill në selinë e Aleancës në Bruksel u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Top Channel