Kurbin/ I dënuar me 9.7 vite burg nga drejtësia italiane për grabitje dhe kanosje ndaj punonjësit të Policisë, arrestohet 30-vjeçari

01/04/2023 12:11
Foto Ilustruese

Një 30-vjeçar, i dënuar më parë nga gjykata e Udines me mbi 9 vjet burgim për një sërë veprash penale, është arrestuar në Laç me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se shtetasi Ermal Zeneli alias Xhemal Karaj, 30 vjeç, banues në Kurbin, ishte dënuar me 9 vjet e 7 muaj burgim për armëmbajtje, kanosje ndaj punonjësit të Policisë dhe grabitje.

Ndaj 30-vjeçarit rëndojnë veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Vjedhja e kryer në bashkëpunim”, “Mbajtja dhe shitja e sendeve të vjedhura” dhe “Kërcënimi ndaj oficerit të Policisë”, të parashikuara nga Kodi Penal italian. 30-vjeçari ka vuajtur vetëm 4 muaj nga dënimi i marrë.

Vijojnë procedurat në bashkëpunim me Interpol Tiranën, me qëllim ekstradimin e tij, drejt Italisë. Sakaq, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Top Channel