Të shpallur në kërkim, arrestohen 3 persona në Pikat e Kalimit Kufitar Rinas, Muriqan dhe Morinë! Mes tyre edhe i forti i Durrësit, ‘Kep Rapi’

31/03/2023 14:22

Tre persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale janë kapur në Pikat e Kalimit Kufitar Rinas, Muriqan dhe Morinë.

Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se Shërbimet e Policisë në të gjitha pikat e kalimit kufitar, në kuadër të bashkëpunimit me Interpol Tirana, për kapjen e shtetasve në kërkim kombëtar apo ndërkombëtar, që tentojnë të hyjnë apo të dalin nga territori i Republikës së Shqipërisë, për t’iu shmangur drejtësisë, kanë arrestuar:

– Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në dalje të RSH-së, kanë kapur shtetasin Rexhep Rapi (Arapi), 60 vjeç, banues në Durrës, i cili pas verifikimit nga Interpol Tirana ka rezultuar person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Genova, Itali, e ka dënuar 7 vjet burgim, për veprën penale “Organizimi i emigracionit të paligjshëm”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur dhe 4 vjet. Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

– Shërbimet e Policisë Kufitare Muriqan, në hyrje të RSh-së, kanë ndaluar shtetasin Flamur Shala, 38 vjeç, banues në Zvicër, i cili pas verifikimit ka rezultuar person i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

– Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në hyrje të RSH-së, kanë ndaluar shtetasin kosovar B. G., 39 vjeç, banues në Kosovë, i cili pas verifikimit nga Interpol Tirana ka rezultuar person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol NCB Brussels, për veprën penale “Tentativë për posedim blerje ose transport të kokainës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar Kodi Penal i Belgjikës. Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt Belgjikës.

Po ashtu, në Pikën Kufitare Grabom është goditur një rast i mosdeklarimit të të hollave, nga ku janë sekuestruar 19 900 dollarë. Sakaq, në Rinas është goditur një tjetër rast i kontrabandës së mallrave, nga ku janë sekuestruar 30 steka me cigare, pa pullë fiskale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel