Për herë të parë në histori ngrihet akt padi ndaj një ish-presidenti në SHBA/ Donald Trump përballet me 30 akuza penale

31/03/2023 08:16

Ajo së cilës i druhej Donald Trump, ndodhi. Juria e madhe në Manhatan i dha dritën jeshile ngritjes së aktpadisë ndaj tij duke e bërë ish presidentin e parë në historinë e SHBA-së që gjendet në një situatë të tillë.

Akuzat lidhen me pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 të republikanit për të blerë heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, me të cilën thuhej se kishte pasur një marrëdhënie jashtëmartesore.

Trumpi që kandidon për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024, reagoi përmes rrjetit të tij social duke e cilësuar këtë një “persekutim politik dhe ndërhyrje në zgjedhje në nivelin më të lartë në histori”.

Ai shtoi se demokratët e majtë radikalë u përpoqën me çdo mënyrë të minonin presidencën e tij që nga momenti që ai u deklarua fitues i zgjedhjeve presidenciale.

“Demokratët kanë gënjyer, mashtruar dhe vjedhur në përpjekjet e tyre për të shtënë në dorë Trump-in. Por tani kanë bërë të paimagjinueshmen, duke ngritur padi ndaj një personi plotësisht të pafajshëm, në një akt flagrant të ndërhyrjes në zgjedhje”, thuhet në deklaratë.

34 pika ka aktpadia, sipas CNN. Pagesat e bëra Stormy Daniels në vetvete nuk janë të paligjshme, por prokuroria duket kërkon të tregojë se Trump ka falsifikuar natyrën e tyre, duke shkelur kështu ligjet e Nju Jorkut dhe se ka pasur për qëllim influencimin e zgjedhjeve. A dtë arrestohet vërtet ish presidenti?

Sipas mediave të huaja, ish kreu i shtetit amerikan duhet të paraqitet në gjykatë I shoqëruar nga shërbimet sekrete, e nga sa pohojnë avokattët e tij, republikani nuk do të bëjë rezistencë. Nuk ka ndodhur kurrë më parë që të ngrihet aktakuzë ndaj një ish presidenti, ndaj procedurat mund të ndryshojnë nga ato normalet.

BBC ndërkohë, e cila ka folur me disa ekspertë lidhur me atë çfarë nënkupton kjo situatë për tentativën presidenciale të Trumpit, thotë se nuk dihet ende nëse atij do t`i vihen prangat vërtet.

Por profesori i UCL Brian Klaas, mendon se nga ana tjetër kjo mund të ketë një efekt befasues dhe ta ndihmojë Trumpin duke i shtuar ndjeshëm mbështetjen e bazës së partisë së tij, mbledhjen e një numri të madh fondesh e mbase edhe një rritje në zgjedhjet e brendshme partiake për kandidatin republikën në Shtëpinë e Bardhë.

Top Channel