A do të ndalet kandidati i SHBA-së? Trump përballë akuzave, pritet të shqyrtohen të gjitha provat

31/03/2023 20:06

Tashmë ish-presidenti I Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump po përballet me akuzat e ryshfetit në fushatën e vitit 2016-të.

Hetimet janë përqëndruar në pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale, për të blerë heshtjen e ish-aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, për një marrëdhënie seksuale që ajo pretendon se ka patur me Trump.

Juria e madhe në Manhatan i dha dritën jeshile ngritjes së aktpadisë ndaj tij duke e bërë ish presidentin e parë në historinë e SHBA-së që gjendet në një situatë të tillë. Trump, kandidati për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 kandidati, e cilësoi vendimin një gjueti shtrigash, dhe persekutim politik.

Akuzat do të bëhen publike vetëm në momentin që Trump të paraqitet para gjykatësit, deklaratë e cila do të nxjerrë në pah më shumë detaje.

Ekspertët besojnë se ish-presidenti mund të akuzohet edhe për falsifikimin e të dhënave të biznesit.

ish-aktores se filmave pornografike Stormy Daniels i është bërë një pagesë prej 130 mijë dollarësh nga avokati i Trump, Michael Cohen. Një kosto e cila u mor nga Organizata Trump, e u regjistrua si shpenzim ligjor i kompanisë.

Ish-prokurori federal Neamah Rahmani e sheh aktpadinë si një zhvillim historik, ndërsa mbi Trump rëndojnë edhe akuza të tjera.

 “Kjo është hera e parë që një ish-president akuzohet për një krim. Është e pashembullt. A do të ndjekin edhe prokurorët e tjerë, si prokurori i posaçëm Jack Smith, apo prokurorja e Qarkut të Atlantës Fani Willis, të njëjtin shembull dhe ta akuzojnë Donald Trump-in për krime më të rënda”, deklaroi ish-prokurori.

Prokurorët deklaruan se po punojnë për të koordinuar dorëzimin e Trump, gjë që mund të ndodhë në fillim të javës së ardhshme.

Ekspertet njoftuan se pritet të zhvillohet një seancë e shkurtër, ku ai do të njihet me akuzat, do t’i merren shenjat e gishtërinjve, do të fotografohet dhe më pas të lirohet.

Ekspertët kushtetues shprehen se pavarësisht ngritjes së akuzave penale, kjo nuk do ta ndalojë Trump të kandidojë për president, madje edhe në rast dënimi të tij ai do ta merrte sërish detyrën nëse fitonte.

Top Channel