David J. Kostelancik, diplomati me karrierë 30 vjeçare i caktuar nga Presidenti Biden për të shërbyer si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, doli përpara Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin e Shteteve të Bashkuara.

Kostelancik paraqiti gjatë seancës së konfirmimit, përparësitë e tij si ambasador në vendin tonë.

“Nëse konfirmohem në këtë detyrë do të bashkëpunoj me Shqipërinë për të forcuar institucionet demokratike dhe institucionet e drejtësisë. Presidenti Joe Biden e ka përcaktuar luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si pjesë të strategjisë sonë kombëtare. Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor. Përparimi i reformës në drejtësi do të ndihmojë përparimin e Shqipërisë drejt integrimit europian”, tha David J. Kostelancik.

Një nga sektorët e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve, tha ambasadori i emëruar I cituar nga VOA, do të jetë forcimi i mëtejshëm i partneritetit në mbrojtje. Sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë në vitin 2022, sipas tij,  tregoi nevojën për të investuar në infrastrukturë dhe trajnime për të ndërtuar një sistem kibernetik të qëndrueshëm.

Kostelancik kujtoi se SHBA-ja ka dërguar ekspertë në Shqipëri për të riparuar dëmet e bëra dhe kanë ofruar 50 milionë dollarë për këtë qëllim. Një përparësi e tretë, do të jetë forcimi i klimës së biznesit.

Kostelancik është I familjarizuar me vendin tonë pasi ka shërbyer edhe më parë këtu në periudhën 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën e porsahapur amerikane në Tiranë. Kandidatura e tij tani duhet të miratohet nga Senati amerikan.

Top Channel