Edhe pse Ndue Frroku ka dalë në pension, pasioni i tij për tornon jo. Tashmë prej 50 vitesh ai ushtron profesionin e tornitorit profesion sa i vështire por dhe i lehte në të njëjtën kohe për vete atë.

“E kisha me pasion, kuptohet. Unë kam punuar shumë vite me anije në det, po në qoftë se unë do bëj diçka keq për anijet atje nuk ka rimorkim për të shkuar për ta marrë dikush, është në mes të detit, e kap stuhia e fundoset, kështu që përgjegjësia është jashtëzakonisht e madhe”, ka thënë tornitori Ndue Frroku.

Edhe pse në dukje duket një profesion i rënd dhe sot nuk shohim gra ta ushtrojnë si profesion, ai tregon se në shkollën ku ka mbaruar studimet ka pas shumë gra që kanë studiuar tornon.

“Mjaft femra, ja këtu vetëm në klasën time mund të kem 7-8 femra. Në punë të rënda kur ishte femër, nuk futej për shembull në torno të rëndë, kishte torno më të lehtë, kishte traparin, kishte frezën, kishte redifikën, zgjidhej puna”, shprehet Frroku.

Në këto 50 vite ka marr shumë kënaqësi në punën e tij, por ai ka një peng që në ditët e sotme po zhduket si profesion.

“Në qoftë se kam pasur ndonjë rast dështimi, kam bërë një hap mbrapa, jam qetësuar, e kam rishikuar edhe një herë, pa kaluar në treg, pa u ballafaquar me të keqen, e kam riparuar. Ndjesia më e madhe është kur sidomos ballafaqoheshe me një punë të vështirë edhe në fund e ke realizuar edhe ai tjetri të merr në telefon dhe të thotë, faleminderit, i lumtë Zoti duart, puna është duke më shkuar shumë mirë”, thotë Ndue Frroku.

Ta duash dijen dhe punën është mesazhi që ai u jep të rinjve.

“Të rinjtë është vetëm një gjë, duhet ta duash punën, po nuk e deshe punën e nuk e deshe dijen s’bëhesh kurrkush”, ka përfunduar Frroku.

Top Channel