Mbreti Charles III viziton Gjermaninë në udhëtimin e parë jashtë shtetit si monark

29/03/2023 17:40

Mbreti Charles III i Britanisë mbërriti në Gjermani të mërkurën pasdite, duke nisur udhëtimin e tij të parë jashtë vendit si monark. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Mbretëresha Consort Camilla, çifti mbretëror u pritën me nderime ushtarake në zonën ushtarake të aeroportit Berlin-Brandenburg.

Krahas ecjes në tapetin e kuq, mbërritja e tyre në tokën gjermane u shoqërua edhe nga 21 të shtëna në formë përshëndetje.

Vizita e kurorës britanike në Gjermani vjen si pjesë e përpjekjeve për të kthyer ‘pllakën’ e viteve të marrëdhënieve të vështira midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian pas daljes nga blloku. Mbreti Charles dhe Camilla u pritën nga presidenti gjerman Frank- Walter Steinmeier së bashku me bashkëshorten, Elke Budenbender, përmes një ceremonie mirëseardhjeje në Portën e Brandenburgut të Berlinit më vonë. Qindra njerëz u mblodhën në qendrën historike të Berlinit për të parë ceremoninë zyrtare.

Mbreti ishte planifikuar të vizitonte fillimisht Francën, por ajo pjesë e udhëtimit u anulua për shkak të protestave të vazhdueshme dhe të përhapura kundër reformave të pensioneve të presidentit Emmanuel Macron.

Presidenti Frank-Walter Steinmeier falënderoi Charles për zgjedhjen e Gjermanisë si udhëtimin e tij të parë jashtë vendit pasi u bë mbreti i ri britanik, duke theksuar se vizita përbën “një sinjal i rëndësishëm për marrëdhëniet gjermano-britanike”.

Por cilat janë planet për vizitën mbretërore?

Pas pritjes ceremoniale nga Steinmeier dhe bashkëshortja e tij, Elke Büdenbender, në Portën e Brandenburgut të Berlinit, agjenda e çiftit mbretëror parashikon një darkë shtetërore në mbrëmje në Pallatin Bellevue.

Dy krerët e shteteve pritet të diskutojnë qëndrueshmërinë dhe kalimin në energjinë e rinovueshme. Mbrojtja e mjedisit është një nga çështjet më të rëndësishme për Mbretin.

Në Portën e Brandenburgut, publiku gjerman pati shansin të ndeshej ballë për ballë me çiftin mbretëror. Ata që dëshironin të shihnin mbretin e ri u këshilluan të paraqiteshin herët, për të zënë një pozicion të favorshëm në hapësirën që strehonte vetëm rreth 1500 spektatorë. Publiku filloi të grumbullohej në vendin e pritjes që në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Gjatë vizitës tre-ditore, Mbreti Charles III do të takohet edhe me kancelarin Olaf Scholz dhe është planifikuar t’i drejtohet parlamentit gjerman të enjten. Çifti mbretëror gjithashtu do të vizitojnë qendrën e refugjatëve në ish-aeroportin Tegel dhe do të bisedojnë me refugjatët ukrainasë.

Një vizitor i rregullt në Gjermani, Ambasada Britanike në Berlin ka thënë se Charles e ka vizituar vendin rreth 40 herë si princ. Kurorëzimi i Charles do të mbahet më 6 maj, rreth tetë muaj pas vdekjes së nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeth II.

Përmirësimi i lidhjeve me BE-në pas Brexit

Sikurse e përmendëm shkurtimisht më sipër, vizita e Mbretit Charles III së bashku me bashkëshorten e tij Mbretëresha Consort Camilla, synon gjithashtu të përmirësojë marrëdhëniet me vendet e Bashkimit Evropian, pas viteve të tensionit mbi negociatat para dhe pas Brexit.

Ambasadorja britanike në Berlin Jill Gallard tha për Deutschlandfunk se vizita e Charles synonte të tregonte se megjithëse Britania është larguar nga Bashkimi Evropian, ajo nuk është larguar nga Evropa. Sipas Gallard, me Britaninë dhe Gjermaninë që aktualisht ndajnë disa objektiva, koha e vizitës ishte e duhura.

“Kjo vizitë ishte një rekomandim nga qeveria britanike,” i tha Gallard radiostacionit gjerman të mërkurën në mëngjes. Mirëpo, nuk është rastësi që kjo do të jetë vizita e parë në Evropë. Të dyja vendet kanë qenë të koordinuara nga afër së fundmi, për reagimet e tyre ndaj luftës ruse kundër Ukrainës.

Top Channel