Katari ndërmjetëson bisedimet SHBA-Iran, planifikohet takim mes zv.presidentit amerikan Vance dhe zyrtarit iranian
Përhapja e automjeteve elektrike po jep rezultate të rëndësishme jo vetëm në luftën kundër ndotjes, por edhe në uljen e varësisë globale nga nafta.
Sipas një analize të Federatës Europiane për Transport dhe Mjedis (T&E), makinat elektrike në qarkullim po kursejnë aktualisht rreth 1.2 milionë fuçi naftë çdo ditë. Automjetet elektrike po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme në tregun global të transportit, ndërsa ndikimi i tyre po reflektohet drejtpërdrejt edhe në konsumin e karburanteve fosile.
Kursimi ditor i naftës nga makinat elektrike është rritur pesëfish krahasuar me vitin 2021, kur arrinte në vetëm 215 mijë fuçi në ditë, sipas të dhënave të Federatës Europiane për Transport dhe Mjedis (T&E).
Kjo rritje tregon se elektrifikimi i transportit po shndërrohet në një faktor të rëndësishëm për sigurinë energjetike dhe reduktimin e emetimeve ndotëse.
Përfitimet mund të jenë edhe më të mëdha në vitet e ardhshme. Sipas parashikimeve të bazuara në politikat aktuale, deri në vitin 2034 automjetet elektrike mund të shmangin konsumin e rreth 5.8 milionë fuçive naftë në ditë. Kjo do të përbënte një ndryshim të rëndësishëm në tregun ndërkombëtar të energjisë, veçanërisht në një kohë kur shumë vende përballen me pasiguri për furnizimin dhe çmimet e naftës.
Aktualisht, transporti rrugor konsumon pothuajse gjysmën e naftës në nivel global. Për këtë arsye, kalimi drejt automjeteve elektrike shihet si një nga mënyrat më efektive për të frenuar rritjen e kërkesës për këtë burim energjie. Ndryshimi nuk kufizohet vetëm te veturat personale. Edhe autobusët dhe kamionët elektrikë po fitojnë terren në tregun ndërkombëtar.
Sipas analizës, autobusët elektrikë përbëjnë tashmë rreth 5% të flotës globale, ndërsa kamionët elektrikë rreth 1%. Në disa tregje, megjithatë, automjetet e rënda elektrike kanë arritur të zënë më shumë se gjysmën e shitjeve të reja në kategoritë përkatëse.
Këto mjete kontribuojnë gjithashtu në kursimin e naftës, duke shmangur deri në 320 mijë fuçi konsum në ditë. Një tjetër përfitim i rëndësishëm lidhet me ndikimin në mjedis.
Automjetet elektrike që qarkullojnë aktualisht në rrugët e botës shmangin më shumë se 200 milionë tonë emetime ekuivalente të CO2 çdo vit, sipas të dhënave të publikuara në analizë. Norvegjia, Danimarka dhe Hong Kongu përmenden si shembuj të tregjeve ku përhapja e automjeteve elektrike ka arritur nivele shumë të larta.
Antony Froggatt, drejtor i Federatës Europiane për Transport dhe Mjedis, thekson se automjetet elektrike janë një nga mjetet më efektive për të ulur kërkesën për naftë dhe për të mbrojtur vendet nga krizat energjetike.
Sipas tij, pesë vjet pas samitit të klimës në Glasgow, elektrifikimi i transportit përbën një nga arritjet më të rëndësishme në përpjekjet globale për mbrojtjen e klimës.
Top Channel