Fiks Fare/ “Myk, lagështirë, ushqime të prishura”, ku qëndrojnë dhe çfarë hanë personat me aftësi ndryshe në Vlorë!

29/03/2023 20:40

Fiks Fare denoncoi sërish kushtet ku qëndrojnë personat me aftësi ndryshe në Vlorë, të cilët konsumojnë ushqime të prishura dhe qëndrojnë në një godinë me myk dhe lagështirë.

Në muajin janar të vitit 2022, Fiksi denoncoi abuzimet me ndërtimin e godinës së Qendrës së Zhvillimit në Vlorë, ku megjithëse ishin shpenzuar plot 240 milionë lekë të vjetra, sërish ishte e shkatërruar. Në atë godinë qëndrojnë rreth 30 persona, të cilët iu është dashur që të jetojnë në një ambient të papërshtatshëm, krevate të shkatërruar, mungojnë dyer, ka lagështirë, myk apo edhe suva të rëna.

Një vit pas këtij denoncimi, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar të njëjta problematike. Fiksi ka siguruar këtë raport, ku konstatohen probleme të shumta higjieno-sanitare për mbajtjen e ushqimeve si dhe me ndërtimin e godinës.

“Konstatohet se ambientet janë në kushte të papërshtatshme për magazinimin e mallrave dhe ushqimeve dhe nuk plotësojnë parametrat higjeno-sanitarë. Ka lagështirë dhe erë të rëndë! Ky magazinim ka shkelur çdo standard ushqimor. Ato janë dërguar në zyrën e magazinieres, disa rifuxho në çimento dhe disa në ambiente akulli në frigorifer. Pulat janë të pa paketuara dhe disa të prishura me erë të rëndë dhe ngjyrë të transformuar” thuhet në këtë raport.

Sipas të njëjtit dokument, i shoqëruar edhe me fotografi të ushqimeve, mishi ishte në 2 qesë në sasi 5 kilogramë dhe i pa prerë. Ndërkohë, patatet, qepët dhe frutat ishin hedhur rifuxho në kushte lagështie pa u peshuar, pa etiketa. “Perimet dhe zarzavatet ishin pranuar pa asnjë fletë analize, nëse janë apo jo të freskëta apo edhe të cilësisë së parë. Mishi, sallami dhe proshuta, nuk përmbante të dhëna mbi vulën e kontrollit veterinar. Nuk vërtetohet nëse produkti është i sigurt dhe lejohet për konsum publik. Qumështi, djathi dhe gjalpi, nuk kanë certifikatën e cilësisë” thuhej në këtë raport.

Ndërkohë, një tjetër problematikë e konstatuar nga KLSH ishte edhe godina. Sipas tyre, personat me aftësi të kufizuar, në karrige me rrota, e kishin të pamundur të shkonin në tualet! “Objekti ka shfaqur probleme të ndryshme lidhur me lagështinë, dyert, instalimet elektrike, sistemi hidraulik, kondicionimi etj. Edhe pse objekti ka shfaqur problematikat, drejtoresha ka vlerësuar jo problematik qëndrimin e rezidentëve, duke sjellë rrezikimin e jetës së tyre. Në ambient është lehtësisht e identifikueshme rënia e dyerve dhe thyerja e dritareve” thuhet në raport.

Disa elementë të tjerë të cilët konsiderohen të rrezikshëm për rezidentët janë kasa elektrike e pambuluar dhe lehtësisht e prekshme, pusetë e hapur në ambientin e jashtëm, ashensori i cili nuk funksiononte dhe qëndronte i hapur. Një tjetër problematikë e një rëndësie të veçantë ishte edhe prezenca e lagështisë në të gjithë ambientin e godinës, pra në të dy katet.

Pas këtyre problematikave, kamera e Fiks Fare fiksoi sërish ambientet e Qendrës së Zhvillimit Rezidencial në Vlorë. Megjithëse janë bërë investime të reja, madje në shuma të konsiderueshme, gjendja është e njëjtë. Gazetarët biseduan me drejtoreshën Elida Grabova, e cila pranoi se nga viti 2022 deri në ditët e sotme është tenderuar një shumë prej 130 milionë lekësh të vjetra. Por, ajo tregoi se punët janë bërë sërish kuturu, ka lagështirë, myk dhe dritare të pa rregulluara. Dyert janë të hapura, ashensori nuk punon. Suvatimet janë bërë nga gjysma e poshtë dhe se punimet ende nuk janë kolauduar.

Drejtoresha tregoi se ajo qendër ka bërë disa tendera, ku blerja e ushqimeve shkon në rreth 50 milionë lekë të tjetra, fizioterapia diku te 2 milionë lekë. Ndërkohë, 6-7 milionë shkojnë për pampersa dhe 9 milionë për detergjent. Për këta të fundit thotë se nuk janë cilësorë dhe se firma që ka fituar tenderin i sjellë jo në kushtet e duhura.

“Ne bëmë një tender krevatesh. Na sollën 1 krevat 280 mijë lekë të vjetra. Ata ishin karton dhe nuk kushtonte më shumë se 50 mijë të vjetra. U prishën menjëherë. Bëjmë edhe tendera për mirëmbajtje, suvatime në shuma të vogla, por që punët janë bërë shkel e shko” thotë drejtoresha. Pra, megjithëse janë shpenzuar sërish miliona lekë, gjendja është e njëjtë. Rreth 30 personat me aftësi ndryshe vijojnë të jetojnë mes lagështirës, mykut. Ndërkohë që ushqimet janë të prishura.

FOTO GALERI
10/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA