Kombëtarja e Perusë udhëtoi drejt Spanjës për të zhvilluar një ndeshje në stadiumin e Atletico Madrid, Wanda Metropolitano kundër Marokut.
Mirëpo, Madridi është shndërruar në një makth për futbollistët peruanë të cilët u përleshën jashtë hotelit ku po qëndronin me forcat e policisë spanjolle. Teksa lojtarët ishin duke u përshëndetur me tifozët e tyre, autoritet spanjolle ndërhynë dhe nga ky moment nisi konfrontimi me futbollistët amerikano-latinë që kundërshtuan forcat e rendit.
Si pasojë u arrestua portieri 33-vjeçar i kombëtares peruane, Pedro Gallese. Ky i fundit përfundoi në komisariat, aty ku pas disa minutash situata u qartësua. Gallese u la i lirë teksa mediat pretendojnë se policia spanjolle nuk i njohu lojtarët e Perusë dhe i ngatërroi ata me tifozët.
Portieri Gallese u shpreh më pas se shokët e tij kërkuan vetëm të përshëndesnin tifozët e pranishëm, por policia ndërhyri duke i goditur ata. Sakaq, reagoi edhe Federata Peruane e Futbollit që theksoi mbështetjen e saj për portierin Gallese, ndërsa sqarojnë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me autoritetet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Nga ana tjetër, Federata fton tifozët të qëndrojnë të qetë.
Top Channel