Armët bërthamore ruse në Bjellorusi/ Polonia “imune” ndaj kërcënimeve të Moskës, “qetëson” aleatët: Të jemi të vendosur!

27/03/2023 13:51

Vendimi i Rusisë për të vendosur armë bërthamore taktike në Bjellorusi ka alarmuar Perëndimin, sidoqoftë Polonia duket “imune” ndaj këtyre kërcënimeve duke tentuar të qetësoi edhe aleatët.

Ministri për Çështje të Bashkimit Evropian i Polonisë, Szymon Szynkowski vel Sek ka deklaruar se megjithëse ishte një “element i përshkallëzimit, reagimi (i aleatëve) duhet të jetë i qetë, por i vendosur”.

“Ne nuk mund të frikësohemi nga propagandistët rusë”, shkruan ai. Mesazhi i ministrit polak vjen pasi të shtunën u raportua nga një agjenci ruse e lajmeve se Vladimir Putin kishte nënshkruar një marrëveshje për vendosjen e armëve taktike bërthamore në Bjellorusi.

Moska tha se po e bënte këtë veprim si përgjigje ndaj rritjes së mbështetjes ushtarake të Perëndimit për Ukrainën. Putin argumentoi se duke vendosur armët e saj taktike bërthamore në Bjellorusi, Rusia po ndiqte shembullin e SHBA-ve të cilat kishin armë bërthamore me bazë në Belgjikë, Gjermani, Itali, Holandë dhe Turqi.

Më herët, Polonia bëri thirrje që atletët rusë dhe bjellorusë të ndalohen të marrin pjesë në Lojërat Olimpike të vitit të ardhshëm në Paris, nëse Moska refuzon të tërheqë forcat e saj nga Ukraina. Megjithatë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar njoftoi kohët e fundit se kishte plane për të lejuar atletët nga kombet që të garonin si neutralë për të shmangur një rikthim në bojkotet e stilit të epokës së Luftës së Ftohtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA