Një 49-vjeçar është vënë në pranga, pasi tentoi të korruptonte policinë që të mos i bënin testin e alkoolit në Shkodër.

I arrestuari me iniciale Gj. B. drejtonte mjetin në gjendje të dehur, për këtë arsye ka insistuar që të mos i bëheshin kontrollet më të detajuara.

“Shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të automjetit tip “Benz”, shtetasit Gj. B., dhe i kanë komunikuar se do të kryente testin e alkoolit. Për të shmangur testin e alkoolit, ky shtetas iu ka ofruar punonjësve të Policisë, një kartëmonedhë të prerjes 2000 lekë. Pas kryerjes së testit të alkoolit, ka rezultuar se drejtuesi i automjetit ishte në gjendje të dehur”, njofton policia.

49-vjeçari, banues në Vaun e Dejës, akuzohet për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel