Video/ E vendosur në katin 0 dhe tubat e ngjitur na katin e tretë, kjo është bombola që shpërtheu pallatin në Elbasan dhe la pas 2 viktima Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës në Elbasan, Emirjon Sota, ka dhënë një deklaratë për mediat lidhur me ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse pas shpërthimit të bombolës së gazit në një pallat në qytet, ku humbën jetën dy persona.
Sota bëri një përshkrim të operacionit të zhvilluar ditën e djeshme, duke sqaruar se njoftimi për ngjarjen mbërriti në sallën e Shërbimit Zjarrfikës rreth orës 14:30. Menjëherë pas njoftimit, drejt vendngjarjes u nisën mjetet zjarrfikëse dhe autoshkallët.
Sipas tij, me mbërritjen në vendngjarje, u konstatua se zjarri kishte përfshirë dy kate të pallatit, të tretin dhe të katërtin, çka bëri të nevojshme kërkimin e forcave shtesë edhe nga bashkitë e tjera.
“Menjëherë janë kërkuar forca shtesë edhe nga bashkitë e tjera. Në momentet e para ka qenë në vendngjarje Policia e Shtetit, e cila ka vendosur perimetrin e sigurisë. Menjëherë kanë filluar me evakuimin e banorëve dhe ndërhyrja te vatra e zjarrit”, deklaroi Sota.
Ai bëri me dije se gjatë operacionit u evakuuan disa fëmijë dhe të moshuar, ndërsa ndërhyrja u realizua nga të dyja anët e pallatit.
I pyetur se si ishte bërë ndërhyrja në kushtet kur shkallët e pallatit ishin shkatërruar, drejtori i zjarrfikëses u shpreh:
“Është ndërhyrë me autoshkallë nga pjesa ballore, nga unaza. Janë transportuar të gjithë personat që ndodheshin në katet lart, në kat të 4 dhe të 5”.
Sa i përket pasojave që mund të kishte sjellë mungesa e autoshkallës, Sota theksoi se situata mund të ishte edhe më e rëndë.
“Duke marrë shkas nga lloji i zjarrit, nga shpërthimi i fuqishëm, nga bllokimi i hyrjes së pallatit, pasojat ndoshta do ishin më katastrofike”, tha ai.
Drejtori i zjarrfikëses sqaroi gjithashtu se dy viktimat e gjetura në pallat nuk kanë humbur jetën si pasojë e zjarrit, por nga shpërthimi.
“Të dy trupat e viktimave që janë gjetur brenda pallatit, janë gjetur nën rrënoja dhe kanë humbur jetën nga shpërthimi, jo nga zjarri”, deklaroi Sota.
I pyetur për kapacitetet dhe mjetet që disponon aktualisht Shërbimi Zjarrfikës i Elbasanit, pas diskutimeve për mungesën e pajisjeve, Sota deklaroi se bashkia disponon gjithsej tetë mjete, prej të cilave gjashtë mjete luftuese me pompë centrifugale, një autobot dhe një autoshkallë.
“Me gjithë respektin për median, Bashkia Elbasan disponon 8 mjete, nga të cilat 6 mjete luftuese me pompë centrifugale, 1 autobot dhe 1 autoshkallë. Bashkia Elbasan disponon të gjitha mjetet për të tilla situata. Nuk mund të hedhim poshtë punën e gjithë atyre punonjësve që sakrifikuan jetën e tyre për të shpëtuar jetët e tjerëve. Besoj se misionin e kryen”, përfundoi ai.
Top Channel