“Të punojmë tokën tonë”/ Emigranti që u kthye nga Greqia, pas serave do merret me shpendë

26/03/2023 12:41

“Ia vlen të merresh me bujqësi. Është gjynah ta lësh tokën pa punuar e të  shkosh jashtë shtetit. Në Greqi kam punuar 15 vite me 25 euro dita, atje do të paguash qiranë, ujë drita dhe në fund ngel pa asgjë”.

Kjo është historia e Lulzim Kurtit. 6 vite më parë vendosi të kthehej përsëri në fshatin e tij për t’u marrë më punët e bujqësisë. Si fillim ai ngriti 2 dynym sera me perime të ndryshme, por ishte vetë tregu ai që i diktoi kulturën bujqësore që i sjell me tepër fitime.

“Më përpara  kisha mbjellë tranguj, speca dhe domate. Kam rastis me një domate të mirë të tipit rosalinë dhe e mendova ta mbjell të gjithën të tillë, pasi dhe vjet kjo domate pati cmim 150 lekë kilogrami”.

Fermeri mësoi se produkti cilësor, nuk mbet kurrë pa shitur.

“I kam rezistuar tregut pasi mundohem të nxjerr një produkt të pastër. Për të luftuar fluturën e bardhë përdor këto shirita që më ulin numrin e spërkatjeve, ndërs për pjalmimin e domates dikur përdorej hormone për lidhjet e kokrrës, kurse tani përdor vetëm bletë të cilat gjithashtu me shtojnë rendimentin. Dhe bima del fantastike”.

Pas suksesit ne sera ish-emigranti, tre vite më parë ai zgjeroi fermën e tij duke mbjellë pemë drufrutore.

“Kam mbjellë edhe pemë. Më shumë i jam përkushtuar kumbullës duke e kultivuar në pesë varietete të ndryshme. Por gjithashtu kam mbjellë edhe dardhë, shegë, lajthi dhe hurmën”.

Lulzimi thotë se oreksi vjen duke ngrënë, pas perimeve dhe frutave radhën e ka ngritja e një kapanoni shpendësh, ku do të rriten zogj të freskët.

Top Channel