Bashkisë së Bordosë i është vënë zjarri nga protestuesit në Francë. Më shumë se një milion njerëz dolën në rrugë në të gjithë Francën të enjten.
Policia hodhi gaz lotsjellës ndaj protestuesve në kryeqytet dhe 80 persona u arrestuan në të gjithë vendin. Demonstratat u nxitën nga legjislacioni që rrit moshën e pensionit me dy vjet, ku shkon në 64 vjeç.
Sindikatat kanë bërë thirrje për protesta të mëtejshme të martën e ardhshme, e cila do të përkonte me vizitën shtetërore të mbretit Charles III në vend.
Protesta është planifikuar të jetë në qytetin jugperëndimor të Bordosë atë ditë, ku zjarri përfshiu derën e përparme të bashkisë të enjten në mbrëmje pas një dite protestash dhe përleshjesh. Nuk ishte e qartë se kush ishte përgjegjës për zjarrin, i cili u shua shpejt nga zjarrfikësit.
Ministri i Brendshëm Gérald Darmanin u përpoq të shuante çdo shqetësim përpara udhëtimit të Mbretit, duke thënë dje në mbrëmje se siguria nuk përbën problem dhe monarku do të mirëpritet sipas AP.
Kryeministrja e Francës, Élisabeth Borne, shkroi në Twitter: Të demonstrosh dhe të shprehësh pakënaqësi është një e drejtë. Dhuna dhe degradimi që kemi dëshmuar sot janë të papranueshme. Gjithë mirënjohja ime për policinë dhe forcat e shpëtimit të mobilizuara.
Trazirat gjithashtu ndërprenë udhëtimin me tren, rafineritë e naftës dhe shumë mësues dhe punëtorë në aeroportin Charles de Gaulle të Parisit janë larguar nga puna.
Atraksionet e njohura turistike si Kulla Eifel dhe Pallati i Versajës, ku është planifikuar një darkë për Mbretin Charles dhe presidentin francez javën e ardhshme, u mbyllën gjithashtu të enjten.
Në qytetin verior të Rouen-it, një grua e re u pa e shtrirë në tokë pasi kishte pësuar një dëmtim të rëndë në dorë. Dëshmitarët thanë se ajo humbi gishtin e madh pasi u godit nga një granatë e ashtuquajtur “flash-ball” e gjuajtur nga policia për të shpërndarë demonstruesit.
Përleshje të tjera pati në qytetet perëndimore të Nantes, Rennes dhe Lorient.
Sindikatat dhe e majta politike e kanë cilësuar ditën si një sukses. Qeveria shpreson që protestat të humbasin vrullin dhe dhuna në rrugë të largojë njerëzit.
Top Channel