Krerët e BE-së mblidhen sot në Bruksel për një samit dy ditor të fokusuar tek Ukraina, forcimi i ekonomisë europiane, emigracioni dhe energjia, por ku një vend të veçantë do të ketë dhe çështja e Kosovës e Serbisë.

Nga kryeqyteti belg, udhëheqësit e bllokut europian do t’i përcjellin të dy vendeve mesazhin e qartë se palët duhet të zbatojnë ato për të cilat kanë rënë dakord në takimin e Ohrit.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell do të raportojë për këtë çështje në samit. Ujdia e Ohrit pritet të jetë pjesë e konkluzioneve të takimit të nivelit të lartë.

“Këshilli Europian mirëpret marrëveshjen e arritur në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian për aneksin për implementimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe u bën ftesë të dyja palëve që në mënyrë të përshtatshme dhe me mirëbesim të implementojnë obligimet e tyre përkatëse“, thuhet në këtë tekst.

Për këtë temë ishte diskutuar edhe më herët gjatë javës, në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së. Borel raportoi edhe aty, duke folur për i një “status quo të ri“ në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që do të sigurojë kalimin nga një fazë e krizave, në një fazë të zbatimit te ujdise.Shumë shtete të BE-së e kanë mirëpritur marrëveshjen e arritur në Ohër, dhe kanë kërkuar që fokusi tani të drejtohet tek implementimi.

Top Channel