Fiks Fare/ “Më vodhën letrat e firmës për të ndërtuar shtëpi”, pronarja denoncon dy inspektorë të Financave

23/03/2023 20:45

Dy punonjës të Ministrisë së Financave kanë rindërtuar shtëpitë, duke përdorur letrat e një firme. Ata pranojnë se punimet i kanë bërë vetë, ndërkohë që letrat ishin të një firme.

Duke qenë zyrtarë shtetërorë, ata s’kanë paguar taksat e bashkisë, të cilat i shkojnë firmës. Në një rrëfim për emisionin “Fiks Fare”, pronarja e firmës “ANADA” tregon të gjithë skemën e përdorur nga këta zyrtarë.

“Unë jam pronare dhe administratore e firmës së ndërtimit ‘Anada’ shpk në Tiranë. Merrem me tendera të ndryshëm, rikonstruksione me vlera mesatare dhe të vogla. Ju drejtova Fiksit për një person ka ndërtuar një vilë edhe ka bërë të gjitha veprimet, ka nxjerrë lejen e ndërtimit dhe çdo gjë, me letrat e firmës time”, thotë denoncuesja. Më pas tregon se “punonjësi quhet Bajram Kurti, inspektor në kontrollin e Ministrisë së Financave“.

Ajo shton se fillimisht ka ndihmuar një tjetër inspektor të Ministrisë së Financave, që i ka kërkuar letrat për të ndërtuar vilën. “Personi quhet Latif Çela. Në fillim s’doja, po më pas ia dhashë letrat. Mbaruan punimet dhe i bëra kolaudimin. Më pas i erdhën taksat 7 milionë lekë Latifit. Më tha s’do t’i paguaj dhe do t’i drejtohem gjykatës. I thashë paguaj njëherë se s’ke për të fituar gjyqet, jo më tha do të vazhdojë këtë rrugë. Me letrat e mia hapi gjyq dhe paditës ishte firma ime. Këtë gjyq e humbi. Tani mua më del detyrimi i papaguar se s’kam paguar taksat” thotë ajo.

Më tej shton se Latifit i ka dhënë të gjitha letrat të bëjë vilën që ndodhet në rrugën “Anastas Kullarjoti”, në Tiranë. “Punimet i bëri vetë, ndërkohë të gjitha llogaritë bankare më bllokohen mua. Më kanë sekuestruar 8 milionë lekë të vjetra, po ashtu edhe këtë vit më mbajnë lekë nga taksat vendore për këta dy persona. Ajo shtohet 300 mijë çdo vit. Dhe taksat vijnë në emër të ‘ANADA’-s” thotë denoncuesja.

Të dy, Latif Çela dhe Bajram Kurti punojnë inspektor në Ministrinë e Financave. “Bajrami kishte nxjerrë një leje ndërtimi në vitin 2016 dhe kur shkoi në Bashkinë e Tiranës në vitin 2018 më thonë ke diçka. U them s’e njoh fare këtë person. Mua më dolën taksat. Në 2021-shin më vijnë një shumë e madhe lekët. U interesova dhe s’e dija fare që leja e ndërtimit kishte dalë në emrin tim. Ishte nxjerrë leje për shtesë kati në rrugën ‘Qemal Stafa’, në emër të firmës ‘ANADA’ shpk” thotë ajo, duke shtuar se përfituesi ishte Bajram Kurti, që “as nuk e njihja”.

Denoncuesja vijon se për të nxjerrë këtë leje ishin përdorur dokumentet e firmës, ekstrakti i QKB-së, licencat apo ishte bërë edhe një kontratë. “Unë nuk e di ku ndodhet objekti. Më duket se punimet i ka bërë me firmë tjetër. Pa më lajmëruar mua farë unë s’di gjë fare që ka mbaruar punët. Lajmërova IKMT-në që ça bëhet, po asnjë s’më përgjigjet. Punimet s’janë bërë nga firma ime. Unë s’e di ku ndodhet objekti. Ai e ka bërë vetë, e gëzon dhe detyrimet më vijnë mua. Mua më shtohen 3 milionë çdo vit. Unë s’mund të kolaudoj atë ndërtim që s’e kam bërë unë” thotë denoncuesja.

Pas denoncimit, ajo shkon dhe interesohet te Ministria e Financave për të takuar dy inspektorët. Fillimisht takon inspektorin Latif Çela, i cili e pranon se ka përdorur dokumentet e firmës “ANADA” dhe se të gjitha punimet i ka bërë vetë ai, jo firma. Sipas tij, firma s’ka bërë asnjë punim, ndërkohë që Latifi ka përfunduar edhe rikonstruksionin e vilës. Denoncuesja e pyet Latifin se ku i mori letrat Bajrami, kolegu i tij, ndërsa ai i thotë se ia ka marrë asaj, dhe ka përdorur të njëjtën skemë. Ajo e pyet se përse nuk janë paguar taksat, ndërkohë që Latifi thotë se do e ndjekë në rrugë ligjore, por në emrin e firmës dhe se taksat nuk i shkojnë Latifit por firmës!

“Bajram Kurti e kam takuar, më doli poshtë ministrisë. Më tha unë kam lejen e ndërtimit. Më dha një letër që ka bërë punimet me një firmë tjetër. Ka punuar edhe vetë, murin rrethues, shtesë kati. Leja e ndërtimit ka dalë në emrin tim. Dhe po paguaja detyrimet. Firma ‘ANADA’ s’ka bërë asnjë kontratë me asnjë firmë tjetër si nënkontraktore me askënd. I ka bërë me kë ka dashur ai, kë ka dashur vetë. Sikur s’është inspektor i ministrisë së Financave“, thotë ajo, teksa përfundon se s’mund të bëjë asnjë veprim, pasi “s’di çfarë punimesh ka bërë, çfarë betoni ka përdorur”.

Denoncuesja dhe gazetarët e “Fiks Fare” shkojnë sërish në Ministrinë e Financave. Pas disa tentativash, ata takojnë zyrtarin e dytë, Bajram Kurti, i cili është specialist kontrolli pranë kësaj ministrie. Bajrami e pranon se ka përdorur dokumentet e firmës “ANADA” për të ndërtuar shtëpinë, me të cilat ka nxjerrë lejen e ndërtimit. Por pohon se punimet i ka bërë me një firmë tjetër! Ai i thotë se ka bërë kërkesë në Bashkinë e Tiranës që të ndryshojë emrin në lejen e ndërtimit dhe pa pritur miratimin e bashkisë, ka vijuar nga ana tjetër punimet me firmën tjetër. Këto punime i ka mbaruar brenda 2 muajve, ndërkohë që leja ishte në emrin e “ANADA”-s. Për rrjedhojë të gjitha taksat nuk i shkojnë firmës tjetër, por ANADA-s!

FOTO GALERI
2/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA