Kamionët marrin inerte në kodër/ Banorët në Mamurras dalin në protestë, bllokojnë lëvizjen e mjeteve të tonazhit të rëndë

20/03/2023 16:21

Banorët e lagjes “Demokracia” në Mamurras tashmë prej disa ditësh vijojnë të bllokojnë lëvizjen e mjeteve të tonazhit të rëndë që kalojnë në këtë lagje për të marrë inerte në kodrat e qytetit.

Kalimi i tyre është kthyer një problem për banorët jo vetëm nga dëmtimi i rrugës që këto mjete sjellin, por rrezikojnë jetën e fëmijëve dhe krijojnë tronditje të banesave, ku disa prej tyre tashmë dhe kanë marrë dëmtime.

Banorët vijuan me bllokimin e rrugës dhe sot, duke vendosur barriera mbrojtëse në rrugë, ndërsa dhjetëra forca policie tentuan t’i largonin banorët duke kërkuar hapjen e rrugës.

Edhe pse puna e tyre prej disa ditësh është pezulluar për shkak të bllokimit të rrugës, përfaqësuesit e firmave të pajisur me leje shfrytëzimi e mbështesin protestën e banorëve duke kërkuar një zgjidhje nga Bashkia e Kurbinit për të rifilluar punën.

Prej kohësh, ky segment rrugor nga Droja në drejtim të aksit nacional Mamurras-Tiranë përdoret çdo ditë nga këto kompani ndërtimi të cilat marrin inerte në gurore për shtrimin e rrugëve apo ndërtimin e pallateve të reja. Ndërkaq banorët kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestës deri në zgjidhjen e kësaj situate.

Top Channel