Kthimi nga puna mbrëmjen e së dielës rezultoi i fundit për policin Agron Saba, mjeti i të cilit u përplas me një makinë tjetër dhe ndërroi jetë pak metra larg shtëpisë.

Por ky aksident me vdekje ishte në vijim të dhjetëra të tjerëve që kanë përgjakur rrugët këtë vit.

Nisur nga statistikat, Top Channel mëson se gjatë shkurtit ka pasur 11 aksidente më shumë se një vit më parë 88 të tilla, dhe me shumë se gjysma e tyre kanë ndodhur në Tiranë. Nga këto aksidente kanë mbetur të dëmtuar 123 persona.

Numri më i lartë i aksidenteve është shënuar kryesisht gjatë mbrëmjeve ditën e hënë dhe të enjte ndërsa më i ulti është regjistruar të mërkurë ditë kur raportohen aksidentet e një dite më parë kur dukshëm në vend ka më pak qarkullim mjetesh për shkak të spektaklit Big Brother Vip që ka mbërthyer shumë shqiptarë pas ekranit.

Në pjesën më të madhe të këtyre aksidenteve përgjegjësia  ka qenë e drejtuesve të mjetit që nuk kanë zbatuar rregullat e kodit rrugor duke tejkaluar shpejtësinë apo duke drejtuar mjetin nen efektin e drogës dhe alkoolit. Por pavarësisht  se shpejtësia është parë si shkaktare e shumë aksidenteve me ndryshimet e fundit të miratuara në kuvend në kodin rrugor ajo u rrit në 130 km/h në autostrada dhe rrugë interurbane kryesore.

Në 19% të rasteve fajtor kanë qenë dhe këmbësorët.

Ajo që e bën edhe më alarmante situatën është se aksidentet me pasoja kryhen kryesisht nga pjesa më vitale e shoqërisë drejtues të mosha 35 deri në 44 vjeç.

Top Channel