“Shfryhet” tregtia e jashtme, në shkurt u eksportuan më pak produkte

17/03/2023 23:07

Eksportet kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes në vlerë në muajin shkurt.

Sipas INSTAT, në shkurt, eksportet e mallrave arritën vlerën 38 mld lekë, duke u rritur me 2,8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë por, u ulën me -8,9%, në krahasim me Janar 2023. Gjatë shkurtit edhe deficit tregtar u rrit me 93.2% në krahasim me një muaj më parë.

Ritmet e ritmet së eksporteve në vlerë janë ngadalësuar ndjeshëm në krahasim me janarin, kur shitjet jashtë vendit u zgjeruan me 20.2% me bazë vjetore.  Ndërsa gjatë vitit të kaluar rritja e tregtisë së jashtme ishte në vlera të larta, këtë vit grupet më të mëdha po shfaqin ecuri të dobët, ndërsa produktet bujqësore dhe industria automotive ende vazhdojnë të jenë në terren pozitiv.

Sipas INSTAT, gjatë muajit shkurt 2023, në rritjen e eksporteve prej 2,8%, pozitivisht ndikuan grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +2,6 pikë përqindje, Ushqime, pije, duhan” me +2,0 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me +1,2 pikë përqindje. Ndërsa grupet: që kanë pasur ulje janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -1,9 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -1,0 pikë përqindje.

Vendet me të cilët Shqipëria pati rritjen më të madhe të eksporteve gjatë shkurtit ishin Greqia, Spanja dhe Austria, ndërsa  rritjen më të madhe në importe me Italinë, Kinën dhe Gjermaninë.

 

Top Channel