Komuniteti ndërkombëtar kërkon rezultate në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ndaj po i mëshohet arritjes së marrëveshjes së zbatimit të planit europian, të pranuar në parim nga të dyja palët, por ende të pafirmosur prej tyre.

Tri ditë përpara samitit të Ohrit, ku diplomatët perëndimorë do të kërkojnë dakordësinë e Prishtines dhe Beogradit mbi udhëzuesin e implementimit të këtij plani, I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, viziton sot Serbinë.

Më pas gjatë javës, ai do të ndalojë sërish dhe në Prishtinë, ku javën e kaluar ishte dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, gjithashtu me të njëjtin qëllim: përgatitjen për takimin e Ohrit. SHBA-ja, e cila mbështet procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga blloku europian, e përkrahu që në fillim propozimin europian, i cili është pranuar më 27 shkurt nga Kosova dhe Serbia.

Më herët, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se një marrëveshje për zbatimin e propozimit europian “është thelbësore për normalizim” të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, ende nuk e kanë nënshkruar propozimin, por janë pajtuar me idenë se nuk ka nevojë që për këtë dokument të ketë negociata të mëtejme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA