Guardiola: Julia Roberts do të vizitojë Man. United edhe nëse fitojmë tre Champions radhazi

15/03/2023 18:30

Madhështia e një klubi lidhet padyshim me historinë dhe këtë e ka të qartë trajneri spanjoll Pep Guardiola.

Ky i fundit po provon të ngrejë sa më lart Manchester City-n, me mbështetjen ekonomike të pakufizuar që i vijnë nga sheikët që kanë pronësinë e klubit, por jo çdo gjë blihet me para.

Këtë e lë të kuptohet Pep Guardiola, që duke bashkëbiseduar me gazetarët anglezë, pranon se edhe nëse fiton tre Champions radhazi, City nuk mund të jetë në të njëjtin rang me Manchester United.

“Shikoni, çfarëdo që të bëj unë, jam i dështuar. Unë kam tre idhuj në jetë, Michael Jordan, Tiger Woods dhe Julia Roberts. Kjo e fundit erdhi në Angli disa kohë më parë, kur ne ishim shumë më lart se Manchester United, por sërish shkoi e vizitoi ata. Edhe nëse ne fitojmë tre Champions radhazi, unë sërish jam i dështuar, pasi Julia Roberts do të vizitojë sërish Manchester Unitedin”, deklaroi Guardiola./ SuperSport

Top Channel