Seuli tha se Koreja Veriore ka lëshuar dy raketa balistike me rreze të shkurtër, çka përbën lansimin e dytë të tillë nga Pheniani në tri ditë.

Këto lansime përkojnë me kohën kur Koreja Jugore dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur stërvitjet më të mëdha ushtarake në pesë vjetët e fundit.

Stërvitjet kanë nisur të hënën dhe do të zgjasin 10 ditë.

Uashingtoni dhe Seuli kanë rritur bashkëpunimin në mbrojtje, pas rritjes së kërcënimeve ushtarake dhe atyre bërthamore nga Koreja Veriore, e cila ka testuar një seri të armëve të ndaluara në muajt e fundit.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë jugkoreane ka thënë se raketat kanë fluturuar rreth 620 kilometra.

“Ushtria jonë e ka rritur vëzhgimin dhe vigjilencën, në përgatitje e sipër për lansime tjera”, kanë thënë zyrtarë ushtarakë.

Zëdhënësi i Qeverisë japoneze, Hirokazu Matsuno, ka thënë se raketat nuk kanë prekur ujërat e Japonisë, ndonëse Tokio dyshon që Koreja Veriore mund të kryejë “hapa tjerë provokativë”.

Verikoreanët është thënë se janë duke zhvilluar një lloj rakete me rreze të gjatë, Hwasong-17.

Por, ekspertët besojnë se verikoreanët kanë dështuar disa herë në testim të Hwasong-17.

Më 2022, Koreja Veriore ka miratuar ligjin për shpallje të vetes si shtet me armë bërthamore.

Lideri i shtetit, Kim Jong-un, ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve për çarmatosje.

Pheniani ka kryer gjashtë testime bërthamore në periudhën 2006-2017, pavarësisht sanksioneve.

Ky shtet në lindje të Azisë dënon vazhdimisht sanksionet dhe deklaron se sistemi bërthamor i duhet për qëllime të mbrojtjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA