Norvegjia njoftoi se po blen gjashtë helikopterë Seahawk të prodhimit amerikan. Blerja e këtyre helikopterëve do t’i kushtojë këtij shteti mbi 1 miliard dollarë dhe ato po blihen për të zëvendësuar flotën norvegjeze me helikopterë evropianë të llojit NH90 pas një serie të vonesave dhe problemeve.
Pas shumë vonesave për transportimin dhe problemeve me performancë, Qeveria norvegjeze qershorin e kaluar anuloi kontratën për furnizim me 14 helikopterë NH90 nga koncersiumi evropian, NH Industries.
Gjashtë prej këtyre fluturakeve ishin të destinuara për marinën norvegjeze që të luftojë kundër nëndetëseve dhe tetë për vëzhgim dhe misione të shpëtimit nga rojet detare.
Norvegjia tani ka porositur gjashtë MH-60R Seahawk nga kompania prodhuese amerikane, Sikorsky. Blerja e këtyre fluturakeve vlerësohet se Norvegjisë do t’i kushtojë 1.1 miliard dollarë.
Ministria e Mbrojtjes së Norvegjisë tha se helikopterët “fillimisht do të përdoren nga rojet bregdetare, por gjithashtu do të jenë të gatshëm që të pajisen për operacione kundër nëndetëseve”.
“Me helikopterët e rinj detarë, ne vazhdojmë të forcojmë gatishmërinë e mbrojtjes, prezencën dhe vigjilencën në veri” ku shteti anëtar i NATO-s, Norvegjia, ndan kufirin me Rusinë, tha në një konferencë për media ministri i Mbrojtjes, Bjorn Arild Gram.
Helikopterët e rinj pritet të dërgohen në Norvegji midis viteve 2025 dhe 2027.
Për të justifikuar numrin e vogël të helikopterëve sesa ishte parashikuar fillimisht, Gram tha se disa misione do të kryhen me dronë.
Ndërkaq, sa i përket furnizimit të marinës norvegjeze me katër fregata, autoritetet nuk kanë vendosur ende./ Radio Evropa e Lirë
Top Channel