Tsunami e “bombë atomike” bashkë! 12 vite nga katastrofa, Japonia kujton Fukushimën!

11/03/2023 16:10

Japonia e shënoi me një minutë heshtje 12-vjetorin e tërmetit masiv, tsunamit dhe katastrofës nukleare që pasoi fatkeqësinë natyrore, në mesin e shqetësimeve se vendi po planifikon lëshimin e ujit të trajtuar radioaktiv nga centrali nuklear i shkatërruar i Fukushimës, teksa qeveria vendase po planifikon rikthimin tek energjia atomike.

Tërmeti nënujor me magnitudë 9 dhe tsunami që e pasoi shkatërruan pjesë të të mëdha të bregdetit verilindor të Japonisë 11 marsin e vitit 2011, e morën mbi 22,000 jetë njerëzish duke llogaritur këtu dhe 3,700 vdekjet e mëvonshme të lidhura me atë fatkeqësi. Dallgët e mëdha rrëzuan sistemin e furnizimit me energji dhe atë ftohës të impiantit të Fukushimës, duke shkaktuar një shkrirje të tre reaktorëve, çka bëri që sasi të mëdha rrezatimi të shpërndaheshin në ajër.

Si pasojë qindra mijëra banorë u evakuuan duke e bërë atë katastrofën më të rëndë bërthamore në botë që nga aksidenti i Çernobilit në vitin 1986. E gjithë Japonia heshti sot në orën 14:46, momenti kur ra tërmeti.

Disa banorë në prefekturat veriore të goditura nga cunami, Iëate dhe Miyagi, zbritën në bregdet për t’u lutur për të dashurit e tyre; trupat e mbi 2,500 personave këtu nuk u gjetën kurrë.

Në Tomioka, një nga qytetet e Fukushimës, ku kërkimet fillestare u desh të braktiseshin për shkak të nivelit të lartë të rrezatimit, zjarrfikësit dhe policia I janë rikthyer kërkimeve në vijën bregdetare për eshtra të mundshme të viktimave apo objekte personale të tyre.

Qeveria japoneze ka shpenzuar gati 300 miliardë dollarë në projekte për rindërtimin e Fukushimës si dhe zona të tjera përreth. Por shumë zona përreth impiantit të gjymtuar mbeten të bllokuara për shkak të niveleve të larta të rrezatimit. Më shumë se 40,000 banorë vazhdojnë ende të jenë të zhvendosur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA