Dërgesat e karburantit janë bllokuar nga të gjitha rafineritë franceze, trenat janë ndalur e prodhimi i energjisë është reduktuar në mesin e ditës së gjashtë të grevave të organizuara nga sindikatat vendase kundër planit të reformës së pensioneve që trumpeton me të madhe presidenti Emmanuel Macron.

Qëllimi i protestuesve është t’i ndalojnë planet e qeverisë për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 64 vjeç. Mbështetja për ta në popull, po rritet.

 “E mbështes grevën, është normale sepse po e bëjnë për të gjithë ne”, tha Anissa Reghay, asistent.

 “Nëse do të prodhojë zgjidhje për këtë problemin e pensioneve që s`po merr fund kurrë, sigurisht që jam në favor të kësaj lëvizjeje. E vërteta është se të punosh deri në moshën 64 vjeçare është e vështirë”, tha Pierre Martin.

Sindikatat thonë se kjo do të jetë greva më e madhe deri tani. Shumica e shërbimeve të trenave dhe metrosë janë anuluar dhe mjaft shkolla janë mbyllur.

Rreth 300 tubime priten në të gjithë Francën ku sipas policisë, llogaritet të marrin pjesë deri në 1.4 milionë.

Me qeverinë që nuk jep asnjë shenjë për t’u tërhequr nga plani i saj i pensioneve, një lideri sindikalist, Emmanuel Lépine, deklaroi se në këtë pikë, qëllimi i bllokimit të dërgesave të karburantit është të gjunjëzojë ekonominë franceze”.

Top Channel