Në 136 vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe në Korçë, ne kemi ardhur në gjimnazin “Sami Frashëri” në kryeqytet, për të treguar më shumë rreth punës së përditshme të mësueses së Biologjisë Edlira Demaj, e cila e ka aq pasion punën sa edhe karfica që mban në pallto është një mikroskop.

“30 vitesh ushtroj profesionin e mësueses, nga këto 22 vjet i kam në gjimnazin “Sami Frashëri”. Vërtet që kam kaluar breza të tërë nxënësish dhe është një përgjegjësi e madhe, por ama edhe krenari kur I sheh të realizuar në rrugëtimin e tyre. Motoja ime është: T’i frymëzoj nxënësit. Të ndikoj si prind, si nënë,  të mos i stresoj, të përcjell dashuri, humanizëm, që nesër të jenë qytetarë të denjë.”- tha Edlira Demaj, Mësuese e Biologjisë, gjimnazi “Sami Frashëri”, Tiranë.

Një ndër dhuratat është lule që ma dërgoi me postë një ish nxënësi im, Ernald Shehaj, nga Boni i Gjermanisë. Sigurisht që më vjen keq, pasi do të pëlqente që ato dije që ata marrin, pas shkollimit, t’i transmetojnë në vendin e tyre. Ndoshta një ditë do të ndodhi. Unë kam besim, se ky vend do të bëhet, përndryshe do të kisha zgjedhur edhe unë rrugën e emigrimit si shumë të tjerë.

Zyshë Edlira është një nga më të mirat që unë kam pasur si në 9-vjeçare edhe në gjimnaz. Prej saj më pëlqen edhe Biologjia. Ajo nuk është autoritare, por ne e respektojmë të gjithë. Ka edhe një lloj afrimiteti me ne, që ndoshta mësues të tjerë nuk na e japin. Pasioni që ajo ka për të përçuar dijet tek ne, është i mrekullueshëm.”- tha një nxënës.

 

Top Channel