Video/ Zjarri gjigant në kampin e refugjatëve lë mijëra të pastrehë në Bangladesh (fotot)

06/03/2023 18:03

Disa mijëra refugjatë Rohinga kanë mbetur pa një strehë teksa një zjarr masiv ka shkatërruar kampin e tyre dje në jug Bangladeshit duke djegur gjithashtu qendrën shëndetësore, qendrat e mësimit dhe xhamitë.

Zjarri fatkeq ra në kampin ku strehohen rreth 1 milionë refugjatë Rohinga, duke përfshirë dhe 700,000 të larguar nga vendi i tyre Mianmar, pas një fushate ushtarake shtypjeje në vitin 2017 atje.

Dëshmitari Tin Lwin, shtëpia e të cilit është shkatërruar, tha se zjarri nisi pasditen e të dielës teksa dy fëmijët e tij luanin jashtë. Megjithë tentativat e tij, burri nuk arriti të shpëtonte shtëpinë nga flakët. Sot ata pastronin mbetjet e djegura dhe tentonin të rregullonin një çati të përkohshme.

“Kemi ende frikë, se mos marrë zjarr përsëri, sepse këtu nuk ka mbrojtje apo siguri”, tha ai.

Zjarret janë një problem i vazhdueshëm në kampe të tilla ku njerëzit jetojnë në kushte të vështira, në streha plastmasi dhe shkopësh bambuje.

Muajin e kaluar ministria e mbrojtjes së Bangladeshit tha se deri në fund të vitit që shkoi ka pasur rreth 200 incidente zjarresh në kampet Rohinga, 60 prej të cilëve të qëllimshme.

Në mars 2021, të paktën 15 njerëz u vranë dhe 50,000 të tjerë u zhvendosën nga një zjarr gjigant në një bllok banimi.

Zyrtari vendas i policisë Faruque Ahmed, tha se zjarri djeshëm ka shkatërruar 35 xhami e 21 qendra mësimi për refugjatët. Nuk kishte viktima nga ngjarja.

Komisioneri i refugjatëve në vend Mijanur Rahman, tha se rreth 2,000 streha banimi ishin shkatërruar duke lënë pa strehë më shumë se 10 000 njerëz.

FOTO GALERI
2/3
Zjarret janë një problem i vazhdueshëm në kampe të tilla ku njerëzit jetojnë në kushte të vështira, në streha plastmasi dhe shkopësh bambuje.

Top Channel