Takimi i së hënës në Bruksel, ku udhëheqësit e Prishtinës dhe Beogradit u pajtuan për një marrëveshje të mundshme, shënon një fitore të Perëndimit, që po përpiqet të frenojë ndikimin e Rusisë ndaj Serbisë.
Analistët thonë se synimi i Rusisë është ta mbajë Serbinë larg Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Pajtimi i Kosovës dhe Serbisë, këtë javë, për një marrëveshje të mundshme për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, shënon një fitore të heshtur të Perëndimit ndërsa konkuron me Rusinë për ndikimin ndaj Beogradit.
Që kur nisi sulmi ndaj Ukrainës një vit më parë, ndjenjat pro serbe janë të dukshme në rrugët e Beogradit. Bluza me shkronjën Z, simbol i fushatës ruse, po shiten si suvenirë, ndërsa ndërsa grupet e ekstremit të djathtë, shprehin hapur mbështetjen për Rusinë.
Në përpjekje për arritjen e një ekuilibri të vështirë mes lidhjeve të thella kulturore dhe fetare me Rusinë, nga njëra anë dhe ambicieve për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe partneritet me NATO-n nga ana tjetër, Presidenti Aleksandar Vucic, ka bërë pak për t’iu kundërvënë ndjenjave pro-ruse nga frika e humbjes së mbështetjes popullore.
Por përtej tubimeve pro ruse nëpër rrugët e Beogradit, pa rënë në sy, Perëndimi po ndërmerr disa hapa për të zgjeruar marrëdhëniet tregtare me Beogradin, për të ulur varësinë ndaj gazit rus dhe për të zbutur tensionet mes Serbisë dhe Kosovës.
Për më shumë se dy dekada, Kremlini ka qenë aleat i fuqishëm i Serbisë, duke e mbështetur atë gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999 dhe më tej për të kundështuar pavarësinë e Kosovës. Normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, një kusht për të dyja vendet për anëtarësimin e mundshëm në Bashkimin Europian, do të frenonte ndjeshëm ndikimin e Moskës ndaj Beogradit.
“Ndikimi i Rusisë këtu është primitiv. Nuk është shumë ekonomik, edhe pse energjia ka ende rëndësi për Rusinë dhe Serbia është një treg i rëndësishëm për gazin e naftën e Rusisë dhe Rusia ka ende në pronësi kompaninë më të madhe të naftës në Serbi, “NIS”. Pra ka rëndësi, por jo shumë të madhe, nëse e krahasojmë me tregjet e tjera europiane. Më e rëndësishme për Rusinë është që Serbia të mos jetë në NATO-s dhe Bashkimin Europian. Dhe qëllimi i të gjitha aktiviteteve të Rusisë këtu dhe i marrëdhënieve me Serbinë, është që ta mbajë Beogradin larg integrimit euro-atlantik”, thotë , Maxim Samorukov, Qendra “Carnegie Endowment for International Peace”.
Duke mos dashur të rrezikojë procesin integrues, Beogradi ka dënuar në Kombet e Bashkuara dhe forumet botërore sulmin e ndërmarrë nga Rusia, ka njohur kufijtë e para-luftës të Ukrainës, i ka dërguar Kievit ndihmë humanitare dhe infrastukturore, si edhe ka mirëpritur refugjatë e luftës, qoftë ata ukrainas apo rus.
“Po, është e vërtet se politika e jashtme e Serbisë ndaj Rusisë ka ndryshuar shumë, si rezultat i çështjes me Kosovën. Për këtë janë bërë disa lëshime, në atë që mund t’i referohemi si sektori energjitik”, thotë historiani Aleksandar Zivotic
Një kthesë e lehtë pritet të ndërmerret edhe në sektorin energjitik. Deri më tani, Serbia ka qenë i varur nga gazi i lirë rus, ndërsa prodhuesi kryesor i naftës është kompania “NIS”, në pronësi të kompanive ruse Gazprom dhe Gazpromneft.
Sidoqoftë, vitin e kaluar, Serbia ndaloi importin e naftës së papërpunuar nga Rusia, duke respektuar sanksionet e vendosura nga Bashkimi Europian, duke u mbështetur kryesisht tek furnizimet nga Iraku dhe po punon me Bullgarinë në ndërtimin e një tubacioni gazi që do të transportonte gaz natyror dhe të lëngshëm nga Greqia dhe Turqia.
Beogradi do të vijojë të ketë nevojë për gazin rus, por nuk ka të ngjarë që Moska të ndërpresë furnizimet, thotë analisti Sasa Djogovic.
“Në momentin që do nisë zbatimi i projektit me Bullgarinë dhe falë importit të gazit të lëngshëm nga Greqia do të zvogëlohet nevoja për të importuar gaz nga tregu rus”, thotë Sasa Djogovic , analist, Insitututi për Studimin e Tregut.
Magjiithatë, pa asnjë dyshim nuk do jetë mjaftueshëm për të plotësuar të gjitha nevojat e tregut serb, kështu që do të ketë nevojë për importe shtesë të gazit rus. Nuk besoj se Serbia do të ketë ndonjë problem, vetëm në rast se Rusia thotë: “Ne po ju ndërpresim furnizimin me gaz dhe nuk do t’ju lejojmë të blini”. Megjithatë, nuk besoj se Rusia do të lejojë një skenar kaq drastik, kryesisht për interesat e saj, në mënyrë që të ruajë popullaritetin që gëzon ende në radhët qytetarvëve serbë”.
Pavarësisht kthimit nga Beogradi drejt perëndimit, ndjenja pro-ruse mbetet e rëndësishme në politikë dhe mjaft prezente në rrugët e kryeqytetit serb.
Rreth 80% e serbëve kundërshtojnë sanksionet kundër Rusisë, sipas një sondazhi të vitit 2022 nga qendra “Demostat”, në Beograd, kryesisht për shkak të sanksioneve dhe izolimit të vendosura në vitet 1990 ndaj Beogradit për rolin që pati në luftërat për shpërbërjen Ish-Jugoslavisë.
Kur studenti rus Ilya Zernov u përpoq të pikturonte grafitin “Vdekjet në Ukrainë” në një mur në Beograd, ai u rrethua nga një grup burrash që i njihte si ultranacionalistë serbë pro-rusë.
“Një burrë nxorri thikën dhe filloi të më kërcënonte Ai më goditi me grusht në veshin e djathtë,” thotë zoti Zernov, i cili iku në Serbi nga vendlindja e tij Kazan, vitin e kaluar pasi kundërshtoi publikisht sulmin e kryer nga Rusia”, thotë ai.
Cedomir Stojkovic, një avokat dhe aktivist i ”Grupit të Tetorit”, me qendër në Beograd, që publikon listat e serbëve të njohur që janë mbështetës të hapur të Rusisë, tha se Serbia është nën “pushtimin hibrid” rus.
Zoti Stojkovic ka ngritur kallëzim penal ndaj ambasadorit rus dhe kreut të shërbimit të sigurimit shtetëror të Serbisë për ndikimin e grupit mercenar rus “Wagner” në Serbi.
Grupi ushtron ndikim përmes medias, si agjencive të lajmeve “Russia Today” dhe “Sputnik” që lejohen të veprojnë në Serbi pavarësisht se janë të ndaluara në Evropë, si dhe përmes të paktën tre gazeta ditore që mbështesin hapur kauzën e Kremlinit./VOA
Top Channel