Inskenoi vjedhjen e biznesit ku punonte, arrestohet roja 62-vjeçar në Bulqizë

28/02/2023 17:50
Foto Ilustruese

Një roje i një biznesi është arrestuar në Bulqizë, pasi akuzohet për kallëzim të rremë në polici. 

Në pranga ka ranë 62-vjeçari me iniciale H.K., pasi bëri kallëzim të rremë për vjedhjen e materialeve të punës, në subjektin minerar ku ishte i punësuar.

Ditën e djeshme, ai ka deklaruar në polici  se gjatë orarit të punës, kishte parë 4 persona të maskuar duke vjedhur materiale pune, në ambientet e subjektit.

Menjëherë pas kallëzimit, është ngritur grupi hetimor për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Si rezultat i informacioneve dhe provave të sigurura, si dhe nga këqyrja e ambienteve të subjektit më të cilin ishte i punësuar roja, ka rezultuar se ngjarja nuk ishte e vërtetë, por ishte inskenuar.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasin H. K., 62 vjeç, banues në Mat, për veprën penale “Kallëzimi i rremë”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel