Rruga e re “Miqësia” në Durrës nuk po vlerësohet si shumë miqësore nga një pjesë e banorëve të zonës së Spitallës.
Përfaqësues të komunitetit të Spitallës në Durrës kanë reaguar sot për ndikimin e ndarjes me trafikndarëse të rrugës së re “Miqësia”.
Banorët e zonës kërkojnë dalje të disiplinuara me semafor ose rrethrrotullim përgjatë kësaj rruge të re, në mënyrë që të mos dëmtohet biznesi dhe aktiviteti i tyre i përditshëm.
“U bë shumë kohë që nuk po punojmë. Rruga u bë më keq sa ishte. Duke vendosur këto trafikndarëset, ne nuk po punojmë dot, kemi bërë disa kërkesa dhe s’na janë marrë parasysh”-shprehet një qytetar.
Rruga “Miqësia” është një aks i ri rrugor që lidh lagjen e re të Spitallës, që po ndërtohet për të dëmtuarit nga tërmeti, me pjesën tjetër të zonës dhe me qendrën e qytetit të Durrësit. Ky aks rrugor u shërben jo vetëm 4 mijë banorëve të zonës, por edhe zhvillimit industrial, pasi do të lidhet me portin e ri tregtar që planifikohet të ndërtohet në këtë zonë të Durrësit.
Top Channel