Ekziston aktualisht një moment i veçantë për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, dhe për këtë kanë qenë të një mendjeje kreu i shtetit gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe presidentja e Kosovës.
Në një deklaratë të lëshuar nga presidenca e Kosovës pas një bisede telefonike të zhvilluar mes dy liderëve, nënvizohet se “sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, dy liderët u pajtuan për momentumin e veçantë që ekziston pas propozimit evropian, të mbështetur edhe nga SHBA-ja.
Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar dhe konstruktive për një proces që kontribuon për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon”.
Vitin e kaluar Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua propozimi i BE-së për normalizimin e raporteve, që në opinion njihet si propozimi franko-gjerman që e ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara. Në letrat që i dërguan Osmanit me rastin e 15 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës disa ditë më parë, Steinmeier dhe shefi i Elizse Emmanuel Macron theksonin dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, është thelbësor në rrugën e Prishtinës dhe Beogradit drejt bllokut evropian.
Steinmeier nënvizoi se Gjermania mbështet perspektivën evropiane të Kosovës, por shtoi se dialogu me Serbinë, mbetet “sfidë thelbësore” për Kosovën. Dialogu me Serbinë, i udhëhequr nga BE-ja, mbetet një sfidë thelbësore për vendin tuaj referuar normalizimit të marrëdhënieve të të dyjave vendeve dhe promovimit të qëndrueshëm të sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
Se sa i rëndësishëm është angazhimi i të dyja palëve në bisedime, këtë e kanë treguar rishtazi edhe tensionet e fundit. Gjithashtu, gatishmëria e të dyja palëve për një bashkëpunim konstruktiv dhe një bashkëjetesë paqësore mbetet esenciale për rrugën drejt BE-së, tha ai.
Top Channel