Komente negative për Nikky Hayley-n, CNN merr masë ndaj moderatorit

22/02/2023 15:35

Disa komente negative për Nikki Hayleyn gjatë një lidhjeje direkte me ish guvernatoren e Karolinës së Jugut, e cila së fundi shpalli kandidaturën për zgjedhjet Presidenciale të vitit 2024 në Shtetet e Bashkuara, po i kushtojnë shtrenjtë prezantuesit të rrjetit televiziv CNN Don Lemon.

Lemon u shpreh gjatë emisionit të mëngjesit se 51 vjeçarja nuk është saktësisht në kulmin e saj. Drejtuesit e gjigandit mediatik amerikan vendosën që moderatori t’i nënshtrohet një procesi zyrtar kualifikimi, pa specifikuar ndërkohë llojin e trajnimit të cilit ai do t’i nënshtrohet.

“Është e rëndësishme që rrjeti të balancojë llogaridhënien me nxitjen e një kulture në të cilën njerëzit mund të mësojnë dhe të rriten nga gabimet e tyre”, tha drejtori ekzekutiv i rrjetit Chris Licht.

Don Lemon nuk ka qenë në transmetim që prej ditës së enjte të javës së kaluar, kur ai dhe prezantueset e tjera të emisionit, Poppy Harlow dhe Kaitlan Collins ishin duke diskutuar rreth deklaratave të Haley, sipas së cilës politikanët mbi 75 vjeç t’i nënshtroheshin ekzaminimeve të detyrueshme mbi aftësitë e tyre mendore.

“Nikki Haley nuk është në kulmin e saj, më vjen keq”, tha Lemon në transmetim, duke shpjeguar se pse ai nuk ndihej rehat me çështjen e diskutimit të moshës.

Ai tha se një grua konsiderohet të jetë në kulmin e saj kur është në të 20-at, 30-at dhe ndoshta të 40-at, dhe se Haley është 51 vjeç. Hayley është e martuar me një biznesmen me origjinë shqiptare dhe është angazhuar publikisht për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën nga shtetet anëtare të OKB-së.

Top Channel