Policia në Serbi e ka arrestuar të enjten Damjan Knezheviqin, liderin e organizatës së krahut të djathtë “Patrulla Popullore” dhe dy anëtarë të asaj organizate, pas incidenteve të një nate më parë te Presidenca e Serbisë.
“Patrulla Popullore” e ka organizuar marshin protestues në Beograd të mërkurën, 15 shkurt, në të cilin u është kërkuar autoriteteve në Beograd që të tërhiqen nga negociatat me Kosovën.
Pjesëtarët e xhandarmërisë i kanë parandaluar protestuesit nga hyrja në ndërtesën e Presidencës së Serbisë. Protestuesit janë parë duke i hequr ndalesat rreth Presidencës dhe individët kanë hedhur vezë në ndërtesë.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka bërë të ditur të enjten, se në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit, si dhe Zyrën e Prokurorit në Beograd dhe Novi Sad, janë arrestuar tre persona.
Duke cituar inicialet, Ministria ka thënë se ata janë arrestuar sepse “ka dyshime që kanë kryer shkelje penale, duke bërë thirrje për ndryshim të rendit kushtetues në mënyrë të dhunshme”. Njëri prej të arrestuarve është akuzuar edhe për posedim apo bartje të armëve dhe pajisjeve shpërthyese.
Të tre janë akuzuar për thirrje ndaj qytetarëve që të mblidhen në Beograd dhe që dhunshëm të rrëzojnë Qeverinë dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Sipas autoriteteve, ndaj tyre është zbatuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Çfarë ka ndodhur në organizimin e 15 shkurtit?
Turma ka bërtitur “Serbia, Rusia” dhe “Tradhti”. Organizatorët e protestës u kanë kërkuar autoriteteve në Beograd që të tërhiqen nga negociatat me Kosovën dhe që presidenti serb, Aleksandar Vuçiç të mos marrë pjesë në dialog.
Në një adresim para turmës, Knezheviq, ka thënë se asnjëri prej anëtarëve të Partisë Përparimtare Serbe “nuk mund ta quajë veten serb”.
Knezheviq u është drejtuar edhe gazetarëve të mediave të huaja në gjuhën angleze, duke thënë se pjesëmarrësit e takimit “pëlqejnë propozimin rus” për Kosovën në vend të atij franko-gjerman.
Disa pjesëmarrës janë parë edhe me simbole të grupit “Wagner” dhe shkronjën “Z”, e cila njihet si simbol i luftës së Rusisë në Ukrainë.
Presidenti serb, Akeksandar Vuçiq, ka thënë më pas për Televizionin Pink se shteti nuk do të lejojë dhunë dhe do të reagojë shpejt dhe në mënyrë efikase.
Propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, i njohur edhe si plani frank- gjerman, mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.
Planin e kanë pranuar si Kosova, ashtu edhe Serbia, por ai nuk është prezantuar asnjëherë në publik.
Në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011. Përgjatë kësaj kohe janë nënshkruar diku 33 marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar. Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale. Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi./REL
Top Channel