Shoferi i kamionit dhe dy administratorë subjektesh janë vënë nën hetim për shfrytëzimin pa kriter dhe pa leje të Parkut Kombëtar të Tomorrit, pas denoncimit që “Fiks Fare” bëri.
Mbrëmjen e djeshme emisionin investigativ ‘Fiks Fare” tregoi se si eskavatorë, kamionë, punëtorë shkonin çdo ditë në malin e Tomorrit afër fshatit Mëlovë, në zonë të mbrojtur, dhe nxirrnin pllaka guri dekorative.
“Procedohet penalisht shoferi i kamionit dhe 2 administratorë subjektesh, të cilët dyshohen se kanë nxjerrë pllaka guri dekorative, në zonën e mbrojtur të malit të Tomorit. Në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “Fiks Fare”, në të cilin shfaqeshin disa shtetas duke nxjerrë në kundërshtim me ligjin, pllaka guri dekorative, nga zona e mbrojtur e malit të Tomorrit dhe më pas i transportonin ato, me kamion, ju bëjmë me dije se:
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për drejtuesin e automjetit, shtetasin A. Y., 36 vjeç, banues në Berat, për veprën penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura”. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori për 2 shtetas të tjerë, administratorë subjektesh, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Punësimi i paligjshëm”, konkretisht:
D. L., 29 vjeç, banues në Bogovë, Skrapar dhe M. L., 39 vjeç, banues në Poliçan, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në subjektet e tyre, me aktivitet grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e gurëve dekorativë, u gjetën pllaka guri dekorative, pa dokumentacionin përkatës, të cilat dyshohet se janë nxjerrë në zonën e mbrojtur të malit të Tomorit. Gjithashtu, u konstatua një punonjës i pasiguruar.
Shërbimet e Policisë po zhvillojnë hetime dhe po kontrollojnë 3 mjete ekskavatorë, të cilët u konstatuan në afërsi të disa barierave të përpunimit të gurit, në këtë zonë. Këto mjete, në vitin 2020, janë bllokuar nga Policia dhe janë lënë në malin e Tomorit, pasi ishin me defekt”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gazetarët e Fiksit vëzhguan për disa ditë me radhë sesi pllakat e gurit nxirreshin pa kriter nga punonjësit vendas, e më pas kamionët e ngarkuar i depozitonin afër rrugës nacionale Çorovod-Skrapar tek firmat që merren me grumbullimin dhe shitjen e gurit.
Punonjësit të pyetur nga gazetarët u shprehën se punonin çdo ditë pa u ngacmuar nga kush edhe pse e dinin shumë mirë se ajo që bënin ishte e paligjshme.
Pyetjes së gazetarëve të Fiksit se ishin punonjës të ndonjë firme ata u përgjigjen se punonin invidualisht, por këtë e hedhin poshtë pamjet e xhiruara nga Fiksi ku kamionët shiheshin të lëviznin pikërisht në vendin ku ata punonin. Ata shpreheshin se pllakat e gurit i shisnin me 2-3 mijë lekë metri katror, ndërkohë që poshtë firmat po të njëjtat pllaka guri i shisnin me 5-6 mijë lekë metri katror.
Top Channel