Në 13 maj 2022 solli në jetë fëmijën e saj të parë, por Rihanna duket nuk kishte aspak në plan të vononte zgjerimin e familjes së saj me reperin A$AP Rocky.
Këngëtarja 34 vjeçare është sërish shtatzënë, dhe lajmin e bukur e ndau me fansat në një mënyrë mjaft të veçantë: duke ekspozuar barkun e rrumbullakosur në skenën e “Super Bowl halftime”.
Fituesja e Grammy-t u shfaq e veshur nga koka në këmbë me një jumpsuit të ngushtë dhe të kuq, çka ekspozoi hapur shtatzëninë e saj. Kësisoj, përvese konfirmoi spekulimet që kishte hedhur pak përpara kësaj The Hollywood Reporter, u kthye njëherazi në të parën artiste shtatzënë që performon në një shfaqje të tillë.
Rihanna u rikthye pas 7 vitesh me një performancë elektrizuese solo në eventin më të ndjekur në televizionet amerikane. Në një intervistë dhënë javën që shkoi, ajo qe pyetur nëse kishte rezervuar ndonjë surprizë gjatë ngjitjes në skenën e improvizuar të stadiumit State Farm të Arizonës, dhe përgjigja e asaj, tani merr shumë kuptim. “Po mendoj të sjell dikë”, u përgjigj ajo.
“Nuk jam e sigurt, do të shohim,” tha këngëtarja, cka i bëri fansat të mendonin se fakt po fliste për ndonjë bashkëpunim të mundshëm me Jay-Z apo Drake. Ajo nuk solli këngë të reja, por spektatorët u kënaqën me këngët e saj ikonike, ndërsa në fund, sensacionin e vërtetë e krijoi padyshim lajmi i shtatzanisë.
Top Channel