Tërmeti pajton Greqi-Turqi! Ministri i jashtëm grek shkon në Adana, homologu e pret me përqafime

12/02/2023 19:42

Me një përqafim të ngrohtë e ka pritur ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu , homologun e tij grek nikos Dhendias, i cili ka mbërritur mëngjesin e së dielës në aeroportin e Adanasë të Turqisë menjëherë pas turneut të vizitave që ka pasur javën e kaluar në Amerikën Latine.

Vizita e Dhendias në Turqi u bë e ditur nga Ministria e Jashtme greke herët në mëngjes ,ndërsa detajet e udhëtimit janë biseduar mes Athinës dhe Ankarasë mbrëmjen e së shtunës.

Do të doja të vija për gëzime dhe jo për hidhërime këtu, ka deklaruar Dhendias në aeroport, ndërsa ka pasuar një takim rreth gjysmë ore me z. Cavusoglu e më pas , të dy kanë fluturuar me helikopter drejt Antakyas, një prej zonave më të shkatërruara nga tërmetet vrastare të së hënës së kaluar.

Nikos Dendias është ministri i parë i Jashtëm europian që viziton Turqinë pas goditjeve nga tërmetet dhe i dyti në përgjithësi, pas atij të Azerbajxhanit – duke treguar kështu mbështetjen e Greqisë në momentin më të vështirë për vendin  fqinj.

Në axhendën e përcaktuar , i shoqëruar nga Mevlut Çavusoglu gjatë gjithë vizitës së tij, janë takimet me anëtarët e misionit Hellenic Aid, i cili operon në zonat që kanë pësuar dëme katastrofike nga tërmetet , si dhe vizita në Qendrën Operative në Antakya për tu informuar për zhvillimet më të fundit, që kanë të bëjnë me përpjekjet e shpëtimit dhe evakuimit, si dhe nevojat e krijuara për ndihmë humanitare.

Në kuadër të kësaj vizite do të shqyrtohen edhe mënyrat e ndihmës së mëtejshme të Greqisë në përballimin e pasojave shkatërruese të tërmeteve.

Dhendias ka udhëzuar Përfaqësinë e Përhershme greke në Gjenevë që të ndërmarrë veprime për të ofruar ndihmë humanitare urgjente përmes OCHA (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare) për Turqinë dhe Sirinë.

Top Channel