SPAK kërkon 13 vite burg për kunatin e e biznesmenit të hidrokarbureve Rezart Taçit, 12 vite për shoferin e tij

10/02/2023 11:50

Në Gjykatën e Posaçme është zhvilluar sot seanca gjyqësore e radhës për implikimin e biznesmenit Rezart Taçi, kunatit dhe shoferit e tij në transferimin e parave të Cosa Nostra-s, ku do të pastronin në Shqipëri miliona euro.

Në këtë seancë gjyqësore Prokuroria e Posaçme ka deklaruar fajtor kunatin Artur Balla për veprat penale që është akuzuar dhe kërkon dënimin e tij me 13 vjet burgim. Për shkak të zhvillimit të proçedurës së gjykimit të shkurtuar, ulet 1/3 e dënimit, si rrjedhim është kërkuar përfundimisht dënimi i të pandehurit Artur Balla me 8 vjet e 8 muaj burgim.

Fajtor është shpallur Bledar Lilo për veprat penale që është akuzuar dhe SPAK kërkon dënimin e tij me 12 vjet burgim. Për shkak të zhvillimit të proçedurës së gjykimit të shkurtuar, ulet 1/3 e dënimit, si rrjedhim është kërkuar përfundimisht dënimi i të pandehurit Bledar Lilo me 8 vjet burgim.

Gjithashtu është kërkuar konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit i shumës monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet një, pikë pesëdhjetë) Euro, ndodhur në llogarinë bankare në emër të Francesco Zummo, në Bankën Alpha, Tiranë, të sekuestruara gjatë fazës së hetimit paraprak nga Prokuroria e Posaçme.

Çështja penale në ngarkim të të pandehurit Rezart Taçi është ndarë gjatë fazës së seancës paraprake dhe do të gjykohet si çështje penale më vete, për shkak se ky i pandehur është në mungesë dhe duhet të kryhen proçedurat e nevojshme të parashikuara në Kodin e Proçedurës Penale për të pandehurit që gjykohen në mungesë.

Top Channel