Shpresat nuk shuhen në Kahramaras! Pas 88 orësh nën rrënoja, dy persona janë nxjerrë të gjallë nga ekipet e kërkim shpëtimit këtë mbrëmje.

Ekipi turk kreu me sukses operacionin. Për gazetarin e Top Channel, Artur Bibe, një efektive tregon punën e vështirë që po bëhet në terren:

“Para se të ndodhte tërmeti kemi qenë në Bursa, jemi ekipi i shpëtimit të Bursës pasi ndodhi tërmeti kemi udhëtuar 19 orë. Që kur kemi ardhur vetëm kemi punuar, kemi shpëtuar një baba dhe një vajzë. Vetëm ekipi jonë ka arritur të shpëtojë 20 jetë njerëzish. Ne do të vazhdojmë të punojmë 24 orë pa ndërprerje. Ka akoma shpresë”.

Me temperaturat nën zero gradë, familjarët qëndrojnë në pritje pranë gërmadhave ku ndodhen të afërmit e tyre.

Çdo minutë nxirren trupa të pajetë nga rrënojat, ndërsa pas kaq orësh, mundësitë për të ndjerë rrahje zemre nën gërmadha janë gjithnjë e më të ulëta.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në përditësimin e fundit tha se 16,546 njerëz u vranë në vendin e tij dhe më shumë se 66,000 u plagosën. Në anën siriane të kufirit, janë raportuar 3,577 të vdekur dhe më shumë se 6,300 të plagosur.

Top Channel