Një e re nga Durrësi është identifikuar si viktima e aksidentit të mbrëmjes së kaluar në zonën e Plazhit.

Përmes të afërmve, policia ka identifikuar 20-vjeçaren Hava Biçaku nga Arapaj, e cila ka qenë duke lëvizur në këmbë kur është goditur për vdekje nga automjeti që drejtohej nga një 24-vjeçar, i cili u ndalua nga policia. Aksidenti ndodhi në rrugën dytësore Plepa-Golem, ndërsa një javë më parë në një tjetër ngjarje të rëndë rrugore humbi jetën një 65-vjeçar që u përplas nga një automjet që u largua nga vendi i ngjarjes pa i dhënë as ndihmën e parë.

Për shkak të numrit të lartë të aksidenteve, policia rrugore ka përcaktuar disa akse rrugore si njolla të zeza në Durrës, përfshirë dhe rrugën dytësore ku ndodhi aksidenti i një dite më parë. Bazuar në hartën e aksidenteve rrugore problematike konsiderohen edhe rrugët dytësore Sukth- Gjiri i Lalzit, Shkozet- Katër Rrugët e Shijakut, Shijak- Maminas, si dhe akset Mbikalimi Shkozetit- Plepa dhe Ura Dajlanit-Shkozet. Në këto akse mungon ndriçimi dhe sinjalistika horizontale dhe vertikale. Kësaj problematike u shtohen edhe shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor nga përdoruesit e rrugës duke çuar në një numër të lartë aksidentesh me pasoja për jetën e shëndetin.

 

Top Channel